Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha sot se synon të takohet me presidentin rus Vladimir Putin në Hungari, në javët e ardhshme për të diskutuar përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, sipas “The Hill”.
Trump e bëri njoftimin pas një telefonate të gjatë me Putinin.
“Në përfundim të telefonatës, ne ramë dakord që javën e ardhshme do të ketë një takim të Këshilltarëve tanë të Nivelit të Lartë. Takimet fillestare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të drejtohen nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, së bashku me përfaqësues të tjerë të ndryshëm, që do të caktohen. Vendtakimi pritet të caktohet”, postoi Trump në “Truth Social”.
“Presidenti Putin dhe unë do të takohemi më pas në një vend të rënë dakord, Budapest, Hungari, për të parë nëse mund t’i japim fund kësaj Lufte “të palavdishme” midis Rusisë dhe Ukrainës”, shtoi Trump.
Trump tha se telefonata e tij me Putinin ishte “shumë produktive” dhe se ai besonte se ishte bëre progres thelbësor me bisedën telefonike të sotme.
Të dy udhëheqësit u takuan në Alaskë në gusht. Ky samit nuk rezultoi në fund të fundit në ndonjë lëvizje drejt paqes.
Zelensky do të vizitojë nesër Shtëpinë e Bardhë, ndërsa Trump do të shqyrtojë mundësinë për miratimin e furnizimit të raketave “Tomahawk” për Ukrainën.
Raketat me rreze të gjatë veprimi mund të përdoren për të nisur sulme brenda Rusisë, dhe nëse SHBA-ja lejon furnizimin e armëve, kjo do të shënonte një nivel të ri mbështetjeje nga administrata amerikane për Ukrainën./Atsh
Të tjera
Meshkujt që nuk mund t’i bëjnë 10 pompa janë më të rrezikuar nga sëmundjet e zemrës
Krimi dhe politika: Zbulime nga vëllai i Dajakut për strukturat e financuara nga fondi i 3% të Bukoshit
Ushqimet që asesi nuk duhet t’i lani para gatimit