Harry Bajraktari: SHBA të ndërhyjë për të ndaluar padrejtësinë kundër krerëve të UÇK-së

Veprimtari shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari, duke shprehur mbështetje për protestën në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, tha se është koha që SHBA dhe bashkësia ndërkombëtare të reagojë.

“Përgëzoj dhe shpreh mbështetjen time për protestën gjithëkombëtare në Tiranë. Ka ardhur koha që të ngremë zërin për të vërtetën, për lirinë dhe për dinjitetin tonë” – tha Bajraktari në rrjete sociale. Ai shtoi se “krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po mbahen padrejtësisht në Hagë”, ndërsa akuzoi Gjykatën Speciale se po përpiqet të rishrkuajë historinë.

“Kosova ka qenë gjithmonë në anën e drejtë. Serbia ishte ajo që kreu gjenocid ndaj shqiptarëve — e megjithatë, janë krerët e UÇK-së ata që po mbahen në burgje. Kjo nuk ka lidhje me drejtësinë” – tha ai. Aktivisti shqiptaro-ameriakn bëri thirrje për ndërhyrjen e menjëhershme të Shteteve të Bashkuara dhe bashkësisë ndërkombëtare “për të ndaluar këtë padrejtësi të madhe”, siç u shpreh ai.

Bajraktari u bëri thirrje edhe udhëheqësve të Shqipërisë dhe Kosovës që të lënë anash dallimet dhe “të punojnë së bashku për drejtësi”.