“Rushiti vlerëson Vasfije Krasniqin: Me guximin e saj ndryshoi ndërgjegjen shoqërore”

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës shënoi dje 26-vjetorin e themelimit, duke reflektuar mbi rrugëtimin e saj në ofrimin e kujdesit, shpresës dhe drejtësisë për viktimat e dhunës gjatë dhe pas luftës. Drejtoresha ekzekutive e qendrës, Feride Rushiti, në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” foli për arritjet, sfidat dhe momentet kyçe të kësaj organizate.

Rushiti theksoi rëndësinë simbolike të 16 tetorit, ditë kur shtatë vite më parë Vasfie Krasniqi foli publikisht për historinë e saj të dhimbshme.

“Realisht përvjetori i organizatës është më 13 tetor, mirëpo 16 tetori për neve ka një vlerë të rëndësishme, pasi shtatë vite më parë Vasfije Krasniqi ka dalë për herë të parë para opinionit kosovar edhe e ka shpalosur historinë e saj të dhimbshme”, tha Rushiti në “Mirëmëgjesi Kosovë” në RTK.

Sipas saj, shpalosja publike e historisë së Vasfije Krasniqit shënoi një pikë kthese në perceptimin shoqëror për viktimat e dhunës seksuale.

Ajo ka thënë se në periudhat e pasluftës ka qenë e vështirë të flitet për krimet e dhunës seksuale dhe pasojat e saj.

“Pothuajse s’ka pasur hapësirë fare në shoqërinë tonë. Fatkeqësisht këto gra dhe vajza përtej që janë dhunuar gjatë periudhës së luftës, janë bërë pjesë e fushëbetejës. Edhe kjo hapësira e ngushtë qoftë në familje, qoftë në komunitet e shoqëri, por edhe në institucione në një periudhë kohore, i ka bërë ato të jenë të viktimizuara për herë të dytë. Prandaj ka qenë shumë e rëndësishme që paralelisht me rehabilitimin, rimëkëmbjen emocionale, psikologjike e fizike të punojmë edhe me fushata për të arritur ta ndryshojmë atë përcepitimin  shoqëror në relacion me këtë natyrë të krimit edhe të krijojmë hapësirën e sigurt që dhuna seksuale dhe pasojat e saj të dalin në sipërfaqe”, ka nënvizuar Rushiti.

Ajo tutje ka thënë se historia nuk mund të shkruhet edhe pa fatin dhe vuajtjen e 20.000 grave e burrave të cilët kanë pësuar gjatë luftës.

“Dje arritëm për hir të krejt kurajës dhe guximit që e ka treguar Vasfije Krasniqi në formë simbolike ta krijojmë  një çmim, për guximin që e ka treguar ajo e që do t’u jepet aktivistëve, të mbijetuarve të dhunës seksuale dhe njerëzve që e përkrahin kauzën”, ka theksuar Rushiti.

Me historinë e tij të guximshme më 14 prill të këtij viti ai ka arritur të bëhet zëri i mijëra burrave dhe djemve që ende rrinë në heshtje dhe ende nuk kanë guxim të vijnë qoftë të kërkojnë shërbim, qoftë të kërkojnë njohjen ligjore të viktimës së dhënës seksuale apo edhe procese të tjera që i presin”, është shprehur Rushiti.

QKRMT ka filluar punën që në periudhën e pasluftës, duke ndihmuar personat e zhvendosur dhe të traumatizuar në Shqipëri dhe Kosovë. Rushiti kujtoi rastet e para me fëmijë dhe të mbijetuar që nuk kishin mundësi të shpreheshin dhe të kërkonin ndihmë.

“Krijimi i hapësirës së sigurt ka qenë thelbësor që viktimat të flasin pa frikë dhe pa paragjykime”, ka theksuar ajo.