Ahmeti për Kurtin: Ndërhyri në zgjedhjet e RMV-së, por tani duhet bashkim mes shqiptarëve

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, i cili udhëheq Aleancën Kombëtare për Integrim, tha se kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ndërhyri edhe në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut.

Ali Ahmeti tha se Albin Kurti ka qenë i përfshirë në këto zgjedhje që po zhvillohen sot, duke iu referuar pjesëmarrjes së Hysen Durmishit në tubimet e VLEN-it, koalicionit të partive tjera shqiptare që bashkëqeverisin me VMRO-DPMNE-në e kryeministrit maqedonas Hristjan Mickoskit.

“Nëse unë nuk shkoj në një vend dhe çoj përfaqësuesin tim aty, jam unë, nuk është tjetërkush. Albin Kurti ka qenë sepse ka qenë përfaqësuesi i tij”, tha Ahmeti për Klan Kosovën.

I pyetur nëse Kurti ka mundur t’i ndihmojë VLEN-it në këtë garë, ai tha se atyre më “s’u ndihmon gjë”.

“Me siguri ata e thirrin për t’u ndihmuar, por nuk u ndihmon gjë tash”.

Ai tha se nuk e di dhe nuk ka “ndonjë bilanc” për ndikimin që ka pasur Kurti në RMV në zgjedhjet parlamentare.

“Unë asnjëherë nuk kam ndërhy, as nuk jam përzi në zgjedhje në Kosovë, as në Shqipëri. Neve na duhet marrëdhënie të mira si shqiptarë”, tha Ahmeti.