Osmani: Në Gostivar deri në ora 17:00 votuan rreth 28% e qytetarëve

Osmani: Në Gostivar deri në ora 17:00 votuan rreth 28% e qytetarëve

Ajshe Osmani, nënkryetarja e KKZ-së në qytetin e Gostivarit, ka thënë se deri në orën 17:00 atje kanë dalë për të votuar 28,02% e qytetarëve në zgjedhjet lokale të 19 tetorit.

Në specialen e Klan Kosovës “Maqedonia zgjedh kryetarët”, ajo ka deklaruar se procesi i votimit deri tani ka shkuar në rregull dhe ka shtuar se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë.

“Të dhënat e fundit që i kemi marrë nga të gjitha këshillat zgjedhore tregojnë se dalja në komunën tonë është 23 mijë e 203 votues. Në përqindje i bie 28,02%. Kjo dalje e votuesve është deri në orën 17:00”, tha ajo.

Zyrtarja në fjalë theksoi se kanë pranuar 10 ankesa nga qytetarët në Gostivar që nuk e kanë gjetur veten në listën e votuesve.

“Ankesat, në krahasim me vitet e kaluara të zgjedhjeve për personat që nuk gjenden në listën e votuesve, janë më të pakta. Mirëpo, ka disa raste që nuk e kanë gjetur veten dhe kanë parashtruar ankesa tek ne”, tha Osmani.