Në momentin kur institucionet sapo kanë hyrë në një fazë të re pas konstituimit të Kuvendit, Lista Serbe ka zgjedhur edhe një herë të “sfidojë” rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Më pak se një javë pas këtij konstituimi, kjo parti paraqiti një ankesë në Gjykatën Kushtetuese, duke kundërshtuar zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb. Në thelb, ankesa e tyre ngre pretendime për shkelje të Kushtetutës dhe të Rregullores së Kuvendit, ndonëse në realitet pasqyron më shumë një përpjekje politike për të ruajtur një monopol përfaqësimi të komunitetit serb nga një subjekt i vetëm, Lista Serbe.
Duke pretenduar përfaqësim të shumicës së serbëve në Kosovë, Lista Serbe shpesh ka injoruar faktin se përfaqësimi i komuniteteve në institucionet e Kosovës duhet të bazohet në vullnetin demokratik dhe jo në lojalitetin partiak apo etnik.
Mirëpo, për atë së si mund të veprojë Gjykata Kushtetuese apo çfarë vendimi mund të marrë pas kësaj aneksë të Listës Serbe folën njohësit e çështjeve të drejtësisë.
Halilaj: Procesi për formimin e Qeverisë mund të vazhdojë normalisht
Fillimisht, për këtë temë, foli avokati Gazmend Halilaj, i cili tha se konsitutimi i Kuvendit është përmbyllur, dhe se ankesa e Listës Serbe nuk ndikon në pezullim të vendimeve dhe punës së Kuvendit.
“Procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës është përmbyllur me zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve, përfshirë edhe nënkryetarin nga komuniteti serb. Dorëzimi i ankesës nga Lista Serbe në Gjykatën Kushtetuese është një e drejtë kushtetuese, por vetë parashtrimi i saj nuk pezullon automatikisht efektet e vendimeve të Kuvendit, përfshirë as procesin e formimit të Qeverisë”.

“Në praktikën e deritanishme, Gjykata Kushtetuese nuk ka ndërhyrë për të pezulluar procedura politike, përveç rasteve kur ka konstatuar urgjencë të veçantë dhe rrezik të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues. Rrjedhimisht, procesi për formimin e Qeverisë mund të vazhdojë normalisht, derisa Gjykata të shqyrtojë meritat e lëndës”, deklaroi ai.
Rrjedhimisht, as formimi i qeverisë dhe as puna e Kuvendit nuk pritet të pezullohen.
“Sa i përket përmbajtjes së ankesës, pretendimi i Listës Serbe për “shkelje kushtetuese” në zgjedhjen e z. Nenad Rashiq duhet të provohet konkretisht – pra, të tregohet se Kuvendi ka vepruar në kundërshtim me nenet që garantojnë përfaqësimin e komuniteteve. Sipas interpretimit të deritanishëm të Kushtetutës dhe praktikës parlamentare, përfaqësimi i komunitetit serb nuk nënkupton domosdoshmërisht emërim nga një subjekt i vetëm politik, por nga deputetë që gëzojnë legjitimitet nga ai komunitet.
Në këtë fazë, pra, as formimi i Qeverisë nuk pengohet, dhe as mandatet e nënkryetarëve nuk pezullohen, përderisa Gjykata nuk shpall një vendim të përkohshëm”, përfundoi Gazmend Halilaj.
Burjani: Çështje tjetër është legjitimiteti i vendimmarrjes demokratike nga ai etnik
Kurse, juristi Blerim Burjani citoi një nen të Kushtetueses, e që lidhet pikërisht me nënkryetarin e komunitetit serb.

Ai tregoi se nëse ankesa e Listës Serbe do ndikojë në pezullimin e punës së Kuvendit dhe formimit të qeverisë.
“Jo, Kushtetuta e thotë qartë në nenin 67.4: komuniteti duhet të ketë një nënkryetar që merr votat e shumicës së deputetëve. Çështje tjetër është legjitimiteti i vendimmarrjes demokratike nga ai etnik”.
Gjithashtu, juristi tha se nuk ka asgjë që bie ndesh me Kushtetutën e vendit, nga ajo se si është konstituar Kuvendi dhe janë zgjedhur nënkryetarët.
“Pra, Kushtetuta nuk thotë që ai duhet të ketë shumicën e pajtimit të komunitetit përkatës dhe pastaj shumicën e votave të deputetëve. Nuk ka asgjë këtu që bie ndesh me kuptimin kushtetues”, përmbylli Blerim Burjani
Të tjera
5 shenjat e horoskopit me karakter të fortë
Mungesa adekuate e gjumit sjell e rritë rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe diabetit
Vendi më i mirë për të ruajtur ilaçet në shtëpi