Sot bëhen 24 vjet nga vrasja e Besim Dajakut, truproje i Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i cili u vra më 19 tetor 2001, në një pritë të organizuar në hyrje të Skenderajt. Në të njëjtin sulm mbeti i vrarë edhe gazetari i “Bota sot”, Bekim Kastrati, ndërsa u plagos ish-deputeti i LDK-së, Gani Geci.
Ngjarja ndodhi në një periudhë të ndjeshme pas përfundimit të luftës, kur vendi po përpiqej të ndërtonte institucionet e para të demokracisë dhe të rendit të ri shtetëror. Por ajo që duhej të ishte kohë e shpresës, u njollos nga krime të rënda politike që ende sot mbeten të pahetuara.
Pavarësisht kalimit të më shumë se dy dekadave, drejtësia për Besim Dajakun dhe Bekim Kastratin nuk ka ardhur ende. Asnjë person nuk është mbajtur përgjegjës, ndërsa familjet dhe opinioni publik vazhdojnë të kërkojnë zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Në një prononcim për “Bota sot”, Xhevat Dajaku, vëllai i Besim Dajakut, kujton ngjarjen tragjike dhe flet për klimën e rëndë që mbretëronte në Kosovë menjëherë pas luftës

Ai tregon se gjatë asaj periudhe ndodhën kërcënime, rrahje, kidnapime e vrasje, ku viktimat ishin kryesisht pjesë e strukturës institucionale të vijës rugoviane.
“Ashtu ishin të atakuar edhe mediat dhe gazetarët që këmbëngulnin në informimin e drejtë të opinionit publik me të vërtetat e kohës. Gazeta ‘Bota Sot’ e kishte shumë të vështirë të depërtonte deri te lexuesi, sepse konfiskohej, ose blehej e tëra nga disa individë dhe hidhej nëpër kosha të mbeturinave. Kam parë njerëz që e lexonin edhe fshehurazi, që të mos binin në sytë e aradhave të kuqe që kishin formuar hijen e pushtetit,” – kujton ai.
Sipas Dajakut, pas këtyre ngjarjeve qëndronin struktura të mirëorganizuara kriminale, të cilat gëzonin mbështetje financiare dhe institucionale.
“Kjo strukturë kriminale ishte tepër mirë e organizuar. Gëzonte financa të pakontrolluara nga ‘Vendlindja Thërret’, si dhe fondin e tre përqindëshit nga qeveria Bukoshi. Ky fond, mbi 50 milionë, nuk dihet se çfarë është bërë me të. Dyshohet se ‘qeveria e përkohshme’ e përdori për ta pastruar terrenin për marrjen e pushtetit, duke eliminuar kundërshtarët politikë,” – deklaron Dajaku.
Dajaku kujton se edhe gjatë fushatave elektorale të asaj kohe, Presidenti Rugova dhe LDK pengoheshin në çdo formë, madje edhe nga persona brenda institucioneve të sigurisë.
Sipas tij, mungesa e guximit të dëshmitarëve, frika, kompromiset dhe vonesat kanë bërë që shumë raste të mbesin të pazbardhura.
Lidhur me rastin e vrasjes së vëllait të tij dhe gazetarit Bekim Kastrati, Dajaku shpjegon se hetimet kanë qenë të kufizuara.
“Ka pasur një tentativë nga drejtësia, por të dyshuarit ishin vetëm sinjalizues, pjesë e organizimit periferik. Ata nuk pranuan fajin dhe drejtësia e Kosovës s’ka mundur të ecë më tej. Lënda është marrë nga ndërkombëtarët, por më nuk kemi asnjë informacion,” – thotë ai.
Në fund, Xhevat Dajaku nënvizon se vrasja e gazetarëve në pasluftë është një nga aktet më të shëmtuara në historinë e Kosovës dhe kërkon angazhim të plotë ndërkombëtar për zbardhjen e tyre.
“Vrasja e gazetarëve në kohën e pasluftës është një prej akteve më të shëmtuara, sidomos për një shtet në formim. Drejtësia ndërkombëtare e ka borxh që t’i hetojë vrasjet e pasluftës, sepse Kosova ishte nën mandatin e tyre. Nëse Gjykata Speciale nuk do të merrej me këto raste, atëherë misioni i saj nuk do të ishte i përmbushur – besa, edhe zhgënjyes,” – përfundon Dajaku .
Të tjera
5 shenjat e horoskopit me karakter të fortë
Mungesa adekuate e gjumit sjell e rritë rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe diabetit
Vendi më i mirë për të ruajtur ilaçet në shtëpi