BE-ja propozon që Iz*raelit t’i pezullohet qasja në fonde për shkak të lu*ftës në Ga*zë

12 organizata të shoqërisë civile u kërkojnë liderëve të BE-së heqjen e masave ndaj Kosovës

Letra u është dërguar presidenti të Këshillit Evropian (KE), Antonio Costa, Presidnetes së komisionin Evropian, Ursula von der Leyen, shefes për politikë të jashtme të BE-së, Kaja Kallas si dhe ambasadorit të BE-së në Kosovës Aivo Orav, transmeton KosovaPost.

“Përderisa e kuptojmë se Bashkimi Evropian ka pasur arsyet e veta për vendosjen e atyre që u përshkruan si masa të përkohshme dhe të kthyeshme, si organizata të shoqërisë civile të përkushtuara në avancimin e integrimit evropian të vendit tonë, jemi thellësisht të shqetësuara për ndikimin negativ që këto masa kanë shkaktuar në aspiratat evropiane të qytetarëve të Kosovës”, thuhet në letër.

Në letër thuhet se më shumë se dy vjet më vonë, “kemi parë se këto masa nuk rezultuan të jenë as të kthyeshme e as të përkohshme”.

“Ato e kanë sfiduar, por jo edhe thyer, besimin dhe partneritetin që lidh Kosovën me Bashkimin Evropian dhe idealet e tij të parimeve, drejtësisë, solidaritetit dhe shpresës. Përtej ndikimit të tyre financiar, këto masa kanë dekurajuar përpjekjet për reforma, kanë kufizuar punën e shoqërisë civile dhe kanë zvogëluar ndihmën në sundim të ligjit, shëndetësi dhe arsim. Kjo situatë vazhdon të pengojë integrimin evropian të Kosovës, i cili mbetet vendi i vetëm në kontinent me orientim të qartë drejt BE-së që ende nuk ka marrë statusin e kandidatit”, thuhet në letër.

Në letër thuhet se këto organizata besojnë që heqja e plotë dhe përfundimtare e këtyre masave në këtë fazë është e përshtatshme dhe e nevojshme.

“Ndërsa tensionet janë ulur dhe pjesëmarrja politike është përmirësuar, situata në veri mbetet e ndërlikuar dhe kërkon angazhim të vazhdueshëm dhe ndërtim të besimit. Pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në zgjedhjet e fundit lokale është një hap pozitiv drejt rikthimit të përfaqësimit dhe legjitimitetit. Sulmi terrorist në Banjskë dhe aktakuzat ndaj përgjegjësve shënuan një moment të rëndësishëm në përballjen me strukturat kriminale në veri. Këto zhvillime, megjithëse të brishta, nënvizojnë se llogaridhënia dhe dialogu janë thelbësorë për siguri dhe bashkëpunim të qëndrueshëm. Angazhimi konstruktiv dhe i balancuar i BE-së mbetet vendimtar për të ruajtur këtë përparim dhe për të mbështetur stabilitetin për të gjitha komunitetet”, thuhet në letër.

Në letër thuhet se organizata nënshkruese besojnë se rrethanat që fillimisht nxitën vendosjen e masave tashmë nuk ekzistojnë më.

“Me rastin e krijimit të institucioneve të reja në nivel lokal, heqja e masave do të përcillte një mesazh pozitiv bashkëpunimi ndërmjet BE-së dhe Kosovës dhe do të forconte më tej besueshmërinë e BE-së dhe angazhimin e saj në rajon. Prandaj, me respekt ju bëjmë thirrje që Bashkimi Evropian të shqyrtojë heqjen e plotë të masave të mbetura. Hapat e parë për t’i tërhequr ato janë dëshmuar të suksesshëm, dhe një rikthim i plotë në normalitet do të ndërtonte mbi momentumin pozitiv të krijuar me organizimin e zgjedhjeve lokale. Populli i Kosovës vazhdon të përballet me sfida, dhe heqja e këtyre masave do të ofronte optimizëm të ri për rrugën tonë evropiane. Jemi të bindur se udhëheqja juaj do të bashkojë të gjitha shtetet anëtare rreth së mirës së përbashkët të BE-së dhe Kosovës”, thuhet në letër.

Organizatat nënshkruese:

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)

Instituti i Politikave Evropiane të Kosovës (EPIK)

Instituti GAP për Studime të Avancuara

Fondacioni i Shoqërisë Civile të Kosovës (KCSF)

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP)

Fondi për Zhvillimin e Komunitetit (CDF)

Rrjeti i Grave të Kosovës (KËN)

Instituti i Kosovës për Drejtësi (KLI)

Lëvizja FOL

Qendra për Trajnim dhe Burime për Avokim (ATRC)

Demokracia për Zhvillim (D4D)

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)