Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur vizitën e tij në Mbretërinë e Bashkuar me një takim të ngrohtë me mërgatën shqiptare në Londër.
Gjatë bashkëbisedimit me pjesëtarët e diasporës, kryeministri Kurti theksoi se partneriteti ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar është ndërtuar mbi shtylla të forta bashkëpunimi në fushat e mbrojtjes dhe sigurisë, zhvillimit ekonomik dhe diplomacisë. Ai shtoi se ky partneritet forcon lidhjet dypalëshe, nxit shkëmbimin e njohurive dhe kontribuon në paqe, stabilitet e mirëqenie të ndërsjellë, njofton sot zyra për informim e Kosovës.
Në fjalën e tij, Kurti foli edhe për arritjet e qeverisë gjatë mandatit të fundit, duke përmendur katërfishimin e buxhetit të mbrojtjes, trajnimin e pjesëtarëve të FSK-së dhe pajisjen me sisteme të reja, si dhe rritjen ekonomike mesatare prej 6 për qind. Ai theksoi se janë rritur të hyrat buxhetore, është mbështetur prodhimi vendor dhe janë forcuar lidhjet tregtare me Britaninë e Madhe.
Në njoftim bëhet e ditur se Kurti vuri në pah rëndësinë e diasporës për zhvillimin e vendit, duke përmendur programin Citizen Diplomacy Fellowship, që sjell profesionistë të rinj nga diaspora në sektorin publik, dhe Dritaren e Investimeve të Diasporës, e cila u mundëson mërgimtarëve të marrin kredi investimi pa kolateral për të realizuar idetë e tyre në Kosovë.
Ai ftoi mërgatën që të vazhdojë të investojë dhe të kontribuojë në zhvillimin e vendit, duke shprehur gatishmërinë e qeverisë për të thelluar bashkëpunimin dhe për të krijuar nisma të reja që e afrojnë më shumë diasporën me Kosovën.
Në këtë ngjarje mori pjesë edhe ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Ilir Kapiti.



Të tjera
Ministri në detyrë, Armend Muja thërret në takim përfaqësues të fermerëve pas protestës
Diana mes lotësh largohet nga shtëpia
Aurelien Tchouameni rrëfehet për herë të parë, tregon nëse e goditi grusht Fede Valverden