Gjuriq me propagandë në OKB, ankohet për mbylljen e strukturave paralele në Kosovë

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, është ankuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për mbylljen e strukturave paralele serbe në Kosovë.

Gjatë shqyrtimit të raportit periodik për Kosovën, Gjuriq, duke propaganduar, tha se të drejtat e serbëve në Kosovë po injorohen vazhdimisht.

Madje, duke iu referuar qeverisë Kurti, ai tha se kjo e fundit ka shkatërruar 128 institucione që sipas tij janë jetike në komunat me shumicë serbe. Ai tha se kjo po bën që të dëmtohet trashëgimia e paqes që presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka arritur në mandatin e parë për normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë.

Gjuriq: Kurti ka shkatërruar 128 institucione jetike në komunat me shumicë serbe

Duke folur për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, Gjuriq anashkaloi të vërtetën duke mos përmendur ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhjet në Kosovë. Ai tha se Lista Serbe ka triumfuar në nëntë nga dhjetë komunat me shumicë serbe në raundin e parë. Madje, pretendoi se “fryma serbe vazhdon të jetë në Kosovë”.

Gjuriq nuk la anash as narrativat kundër Kosovës, duke pretenduar se gjoja serbët po shtypen e frikësohen.

Gjuriq: Fryma serbe në Kosovë vazhdon të jetë e pathyeshme

“Fryma serbe në Kosovë vazhdon të jetë e pathyeshme. Kjo qëndrueshmëri e shfaqur në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, Lista Serbe ka triumfuar në nëntë nga dhjetë komuna në raund të parë. Kjo nuk është politike, është mosbindje. Serbët, kundrejt shtypjes, presionit dhe frikësimit, kanë krijuar vetëvendosjen e tyre. Edhe shqiptarët e kundërshtojnë tashmë radikalizimin e Kurtit”, shtoi Gjuriq.

Gjuriq: Përpjekjet e tyre kërcënojnë të thyejnë ambientin e sigurisë aty

“Militarizimi i territorit me armatim të përshpejtuar të FSK-së dhe blerjen e dronëve kamikazë. Përpjekjet e tyre kërcënojnë të thyejnë ambientin e sigurisë aty”, tha ai.

Krahas kësaj, ai përsëriti kërkesën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.