Belgjika ka shprehur interesim për t’i marrë në shfrytëzim institucionet korrektuese në Kosovë, tha të mërkurën për Radion Evropa Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK).
Në javët e fundit Kosova ka qenë e përfolur në planet e Belgjikës për burgjet, pasi vendi i Bashkimit Evropian është duke e shqyrtuar mundësinë e ndërtimit ose marrjes me qira të një burgu jashtë vendit.
Në një përgjigje me shkrim për REL-in, SHKK tha se, pas marrëveshjes së Kosovës me Danimarkën për dhënien në shfrytëzim të Burgut të Gjilanit për të strehuar të burgosur danezë, “disa shtete të tjera, përfshirë edhe Belgjikën, kanë shprehur në forma të ndryshme interesim për marrjen në shfrytëzim të institucioneve korrektuese të Kosovës”.
Megjithatë, ky institucion nuk ka sqaruar se në çfarë forme është shprehur ky interesim, duke theksuar se “nuk ka pranuar asnjë shkresë zyrtare lidhur me këtë çështje”.
Dy zyrtare belge vizituan Kosovën në fillim të tetorit, duke i shtuar zërat për mundësinë e diskutimit të një marrëveshjeje për burgjet.
Ministrja belge e Drejtësisë, Annelies Verlinden, dhe ministrja e Azilit dhe Migrimit, Anneleen Van Bossuyt, qëndruan në Kosovë më 6 tetor, ku u takuan me presidenten Vjosa Osmani dhe me ushtruesin e detyrës së ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu.
Por, REL-i kishte mësuar se kjo çështje ishte përmendur shkurtimisht nga zyrtaret belge, “pa u hapur ndonjë diskutim i hollësishëm nga pala kosovare”.
Sipas Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), plani i përfolur i Belgjikës për të dërguar të burgosur në Kosovë, paraqet rrezik për sigurinë dhe shkelje të të drejtave të njeriut.
Në vitet e fundit Kosova ka shprehur gatishmëri për të strehuar qoftë të burgosur të huaj, emigrantë nga vendet e treta, apo edhe azilkërkues të refuzuar, me gjithë kritikat.
Të martën, kryeministri në detyrë Albin Kurti, tha në Londër se Kosova është e gatshme të strehojë azilkërkuesit e refuzuar nga Mbretëria e Bashkuar, në këmbim të mbështetjes në fushën e sigurisë.
Në një marrëveshje të ngjashme që po ashtu kishte nxitur kritika, në vitin 2022, Kosova dhe Danimarka u pajtuan për dhënien me qira të 300 qelive burgu në Institucionin Korrektues në Gjilan, për të strehuar të burgosur të huaj që pritet të dëbohen nga Danimarka pas përfundimit të dënimit.
Në këmbim, Kosova do të përfitojë mbi 200 milionë euro, që do të investohen në Shërbimin Korrektues dhe në projekte të energjisë së ripërtërishme.
Të burgosurit e parë nga Danimarka pritet të transferohen në burgun në Gjilan në pjesën e parë të vitit 2027. / REL



Të tjera
“Jam i përqendruar te Hoffenheimi”, Fisnik Asllani flet për interesin e Barcelonës
Ne jemi UÇK e PDK
Lista Serbe s’duhej të certifikohej nga PZAP-ja