Mbrojtja e Fazliut: Gjykata duhet të vendosë mbi fakte të verifikuara, jo thashetheme

Mbrojtja e Fadil Fazliut ka dorëzuar dosjen paraprake në rastin në të cilin së bashku me Hashim Thaçin, Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Hajredin Kuçin akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Mbrojtja e Fazliut thotë se besojnë që Gjykata Speciale do të vendosë duke u bazuar në fakte të besueshme dhe jo në spekulime. Presin që Fazliu të lirohet nga akuzat, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas dosjes së paraprake, mbrojtja e Fazliut pretendon se rasti i Prokurorisë siç është paraqitur në parashtrimin paraprak, bazohet në spekulime, materiale të paqarta dhe fakte jo të verifikueshme.

Mbrojtja thotë se asnjë provë e besueshme apo e drejtpërdrejtë nuk tregon se Fazliu u përpoq të merrte pjesë në ndonjë plan të përbashkët për të penguar drejtësinë ose të ketë ndihmuar në shkeljen e urdhrave gjyqësor.

Sipas mbrojtjes, pjesët e cituara nga Prokuroria nga regjistrimet e audiove janë pjesërisht të padallueshme nga Qendra e Paraburgimit.

“Pjesët e cituara nga ZPS përbëhen nga regjistrime audio pjesërisht të padallueshme nga qendra e paraburgimit, ku deklaratat e supozuara janë të rëndësishme nga tregues të padëgjueshmërisë dhe pasiguria e transkriptimit, dhe lindin në kontekstin e bisedave mbi të gjitha llojet e temave, shumica prej të cilave nuk ishin aspak të lidhura me rastin. Këto materiale nuk provojnë, sipas standardit penal, se z. Fazliu ka tentuar të japë udhëzime, të bindë, ose të ndërhyjë tek Dëshmitari 1”, thuhet në dosjen e mbrojtjes së Fazliut.

Përveç kësaj, aty thuhet se pjesët përkatëse nuk tregojnë se Fazliu ishte dakord, e kishte ndërmend ose që ndërmori përsipër që të jepte udhëzime tek dëshmitari 1. Mbrojtja  thekson se pretendimet e PZS-së mbi gjendjen mendore ose sjelljen e mëvonshme të Fazliut janë spekuluese dhe të pambështetura nga ndonjë provë e drejtpërdrejtë.

Në dosje, gjithashtu thuhet se nuk ka ndonjë regjistrim, mesazh ose prova të pavarura që tregojnë ndonjë bisedë në mes Fazliut dhe dëshmitarit 1 mbi çështje nga të cilat dalin pretendimet e Prokurorisë.

Sipas mbrojtjes, ashtu sikurse shihet në dosjen e Prokurorisë, dëshmitari kishte deklaruar këtë gjë në mënyrë spontane para fillimit të pyetjeve.

Duke pasur këtë mohim nga Remi, mbrojtja pretendon se nuk ka baza të besueshme që Fazliu ka tentuar që të ndërhyjë ose të ndikojë në dëshminë e Remit. Mbrojta ka kontestuar edhe pretendimet e Prokurorisë që kanë të bëjnë me atë që ata e quajnë “Grupi Fazliu”.

Sipas mbrojtjes, këto materiale nuk tregojnë asnjë udhëzues të qartë për marrëveshje apo plan të përbashkët në mes Fazliut dhe të tjerëve për të ndikuar tek dëshmitari Rrustem Mustafa. Ata thonë se pretendimi i Prokurorisë se ky grup bashkëveproi është spekulues.

“Vendimet që supozohet se u shkelën ishin në gjuhën angleze, një gjuhë që z. Fazliu nuk e flet, dhe nuk ishin subjekt i ndonjë raportimi mediatik në Kosovë kur u bënë fillimisht publike. Përkthimet në shqip u lëshuan vetëm në fillim të vitit 2024”, thuhet në dosje.

Ndërsa, një pjesë e informacioneve që pretendohet se u ndan gjatë vizitës së 2 korrikut 2023 sa i përket individëve dhe materialeve, sipas mbrojtjes, ishin çështje që ishin edhe në dispozicion për publikun si informacione. Mbrojtja thotë se statusi i Remit si dëshmitar dhe se do të dëshmojë së shpejti u raportua më 1 korrik në media.

“Statusi i Dëshmitarit 1 si dëshmitar i ZPS-së dhe dëshmia e tij e afërt u raportua gjerësisht më 1 korrik 2023. ‘Ekspozitat që do të përdoren gjatë dëshmisë së tij’ përbëheshin vetëm nga pjesë të një libri të disponueshëm publikisht mbi temën e përgjithshme të diskutimit. W04758 dhe [REDAKTUAR] u referuan me emrat e tyre, pa ndonjë tregues të statusit të tyre si dëshmitar. Si figura të njohura, lidhjet e tyre me [REDAKTUAR] u diskutuan hapur në media, dhe përmendja e W04758 dhe [REDAKTUAR] ishte natyrale”, thuhet në dosjen e mbrojtjes.

Mbrojtja thotë se Thaçi dhe Fazliu janë dy persona që e përjetuan luftën e cila çoi në pavarësinë e Kosovës dhe se ajo që Prokuroria i ka quajtur pjesë të dëshmisë dhe provave konfidenciale gjatë vizitës së 2 korrikut është përvojë personale e këtyre dy personave mbi historinë.

Sipas mbrojtjes, asgjë në bisedën e regjistruar nuk tregon se Fazliu ishte vënë në dijeni se ajo vinte nga materiale jo-publike të rastit.

“Ai ishte një marrës i painformuar i komenteve të bëra nga një person tjetër mbi çështje që ai kuptonte të ishin të njohura nga publiku. Në fakt, një person laik pa njohuri mbi materialet bazë të rastit nuk mund të dallonte me arsyetim se ndonjë nga subjektet e diskutimit ishte konfidencial. Nuk ka prova të mjaftueshme për të vendosur elementin e “mens rea” për t’u dënuar z. Fazliu”, thuhet në dosje.

Andaj, mbrojtja thotë se provat e cituara nga ZPS janë spekuluese dhe dështojnë të provojnë elementët thelbësorë të secilës vepër penale.

Në këtë linjë, mbrojtja ka thënë se beson që Gjykata do të riafirmojë se përgjegjësia penale para kësaj gjykate duhet të bazohet në fakte të qarta, të besueshme dhe të provuara e jo në spekulime. Sipas kësaj, mbrojtja thotë se Gjykata do ta lirojë Fazliun.

Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe vitin e kaluar i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës.