Dënohet me burgim Faik Kadriu, ish-arsimtari që ngacmoi seksualisht nxënëset në Vushtrri

Faik Kadriu, ish-arsimtar i Gjuhës Angleze në shkollën fillore të mesme të ulët “Andon Zako Çajupi” në Vushtrri, është dënuar me 1 vit e 4 muaj burgim.

Ai është shpallur fajtor për ngacmim seksual ndaj nxënësve të klasës së gjashtë gjatë vitit 2022.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Hateme Haxhaj, e cila njoftoi se shpallja e aktgjykimit është bërë të martën.

“Lidhur me rastin që ju i jeni referuar, Gjykata Themelore në Mitrovicë – Dega në Vushtrri, me datë 21.10.2025 ka bërë shpalljen e aktgjykimit ndaj të pandehurit F.K., duke i shqiptuar denim unik me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) vit e 4 (katër ) muaj, për kryerjen e veprave penale: “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” nga neni 195 par.2 lidhur me par.1 të KPRK-së“ “Ngacmim seksual” nga neni 183 par.3 lidhur me par.1 e lidhur me nenin 77 të KPRK-së”, tha Haxhaj.

Po ashtu, burimet kanë bërë të ditur se edhe ish-arsimtari, pra Faik Kadriu kishte kërcënuar të njëjtin më 17 shkurt të vitit 2024.