Pak para fillimit të punimeve të Samitit të Procesit të Berlinit në Londër, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pritur në takim nga Sekretarja e Shtetit për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper.
Kurti shprehu mirënjohje për mbështetjen historike të Britanisë ndaj çlirimit dhe zhvillimit të Kosovës, duke e cilësuar partneritetin me këtë shtet si thelbësor për sigurinë dhe mbrojtjen nga ndikimet ruse në Ballkan.
Në takim u diskutua për sigurinë, rritjen dhe migracionin, si dhe për bashkëpunimin në energji, infrastrukturë, transport dhe arsim. Kurti theksoi zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës, përparimin në sundimin e ligjit dhe rritjen ekonomike mesatare prej 6%.
Njoftimi i plotë:
Duke vlerësuar rolin dhe kontributin në çlirimin, shtetndërtimin dhe zhvillimin e Kosovës, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e thellë ndaj Mbretërisë së Bashkuar, si shtet mik dhe partner i yni.
Siguria e Kosovës është siguria e kufijve të saj. Partneriteti me Mbretërinë e Bashkuar është kyç për t’u mbrojtur nga lufta hibride e Rusisë dhe influenca e saj në Ballkanin Perëndimor, përfshirë këtu dezinformimin dhe financat e paligjshme, tha kryeministri.
Në fushën e mbrojtjes, kryeministri theksoi se Kosova po investon në inovacion, arsim dhe partneritete, duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar. Ai gjithashtu nënvizoi potencialin e vendit për investime dhe mundësitë për projekte strategjike të përbashkëta me Britaninë.
Prioritet i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Kryeministri theksoi se përmes partneritetit me Britaninë e Madhe, mund të ecim drejt integrimit në aleancën e Atlantikut të veriut, por edhe angazhohemi për njohje të reja.
Kryeministri kujtoi që përgjegjësit për sulmin paramilitar e terrorist në Banjskë ende janë të lirë dhe të mbrojtur në Serbi, përkundër faktit që autori i sulmit, terroristi Milan Radoiçiq, ka pranuar përgjegjësinë. Lënia e tyre të lirë përbën kërcënim të vazhdueshëm për sigurinë e Kosovës.
Gjatë diskutimit, kryeministri theksoi rëndësinë e ruajtjes së të drejtave të njeriut në rajon dhe të trajtimit të barabartë të pakicave. Ai vuri në dukje se ende ekziston një mospërputhje e theksuar midis vendeve të rajonit, ndërsa Kosova mbetet shembull me garanci të forta ligjore dhe me mbrojtje të avancuar të të drejtave të pakicave.
Të tjera
Disa mënyra të thjeshta për ta përmirësuar funksionimin e zemrës
Ushqimet që nuk duhet t’i hash kurrë esëll ose me stomakun bosh
Merz kërkon nga Kosova dhe Serbia dialog dhe normalizim të marrëdhënieve