Sanksionet e reja të SHBA-së ndaj Rusisë nxisin reagime të forta

Sanksionet e reja të SHBA-së ndaj Rusisë nxisin reagime të forta

Tensionet midis Perëndimit dhe Rusisë janë rritur sërish pas vendimit të fundit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të vendosur sanksione të reja ekonomike ndaj kompanive kryesore ruse të energjisë, Rosneft dhe Lukoil. Ky veprim, i pari i këtij lloji gjatë mandatit të dytë të presidentit Donald Trump, ka shkaktuar reagime të ndryshme në arenën ndërkombëtare.

 

Politologu amerikan dhe nënkoloneli në pension Earl Rasmussen ka kritikuar ashpër sanksionet e fundit të SHBA-së kundër Rusisë, duke paralajmëruar se ato “do të dëmtojnë më shumë Evropën sesa Moskën”.

Në një intervistë për gazetën Izvestia, Rasmussen tha se ekonomia ruse “është përshtatur me sukses ndaj kufizimeve perëndimore”, ndërsa Evropa po përballet me “rënie të prodhimit dhe deindustrializim”.

Sipas tij, Rusia po diversifikon ekonominë duke e orientuar tregtinë drejt Kinës dhe Indisë, çka e bën më rezistente ndaj presioneve të jashtme. Ai shtoi se sanksionet e reja “reflektojnë më shumë presion politik sesa strategji reale” dhe akuzoi Uashingtonin për “injorim të interesave ekonomike të aleatëve evropianë”.

Rasmussen parashikoi gjithashtu se një takim mes presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit amerikan Donald Trump mund të ndodhë në të ardhmen, por jo së shpejti, pasi “Rusia nuk ka arsye të ndryshojë qëndrim”.

Nga ana tjetër, Ukraina e përshëndeti paketën e re të sanksioneve. Ambasadorja ukrainase në SHBA, Olga Stefanyshyna, deklaroi se vendimi i administratës Trump “është në përputhje të plotë me qëndrimin e Kievit”, sipas të cilit “paqja mund të arrihet vetëm përmes forcës dhe presionit ndaj agresorit”.

Ajo konfirmoi se masat përfshijnë bllokimin e kompanive Rosneft dhe Lukoil, si dhe degëve të tyre, duke i cilësuar ato “instrumente të rëndësishme për ndalimin e luftës”.

Në terren, luftimet vazhdojnë. Shtatë persona u plagosën në Kiev pas një sulmi me dronë rusë, ku u shkaktuan zjarre në disa ndërtesa banimi, njoftoi kryebashkiaku Vitali Klitschko.

Ndërkohë, në Rusi, autoritetet raportuan një zjarr në një fabrikë në rajonin e Ryazanit, pas një sulmi me dronë ukrainas. Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, 139 dronë u rrëzuan gjatë natës mbi disa rajone, përfshirë Belgorod, Bryansk dhe Krimenë e aneksuar.

Në planin diplomatik, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u takua në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Donald Trump për të diskutuar zhvillimet në Ukrainë dhe qëndrimin e aleancës ndaj Moskës.