​Mbi 75 për qind e qytetarëve mendojnë se personat me ndikim politik kanë më pak gjasa të ndëshkohen nga ligji

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka prezantuar botimin e nëntë të Indeksit të performancës së institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë, ku u evidentuan disa nga sfidat më të mëdha që po përballen sistemi prokurorial dhe ai gjyqësor në vend. Ndër to, si më kritiket u përmendën ndikimi politik në drejtësi, mungesa e politikave ndëshkimore, zvarritja e procedurave gjyqësore, niveli i ulët i konfiskimit të pasurisë së fituar kundërligjshëm dhe mungesa e buxhetit adekuat për institucionet e drejtësisë.

Nga përgjigjet e dhëna nga kjo anketë, rezulton se rreth 76 për qind e qytetarëve vlerësojnë se personat me ndikim politik kanë më pak gjasa të ndëshkohen nga ligji. Ndërsa, vetëm 22.7% e tyre mendojnë se pavarësisht që personat mund të kenë ndikim politik, të njëjtit kanë gjasa të ndëshkohen në bazë të dispozitave ligjore.

Drejtoresha ekzekutive e GLPS-së, Njomza Arifi, tha se institucionet e drejtësisë vazhdojnë të jenë nën llupën kritike të shoqërisë civile dhe të vlerësimeve vendore e ndërkombëtare.

Arifi: Institucionet e drejtësisë vazhdojnë të jenë nën llupën kritike të shoqërisë civile

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, theksoi se sistemi prokurorial po bën përpjekje për të rritur transparencën dhe efikasitetin, megjithëse perceptimi publik mbetet sfidues.

Kelmendi: Sa i përket konfiskimit kanë të drejtë qytetarët dhe duhet të jemi vetkritik

“Sistemi Prokurorial i Kosovës është duke bëtë një punë tepër të madhe për të pasur një transparencë dhe një qasje më ndryshe në raport me publikun. Efikasiteti jonë është 90 për qind të kryerjes së lëndëve të pranuara. Për mua është befasi perceptimi i qytetarëve, diku 71 për qind të respodentëve janë persona që nuk kanë pasur kurrë lëndë në prokurori. Unë vlerësoj shumë mendimin e qytetarëve por vet kjo përqindja dhe pjesëmarrja e tyre në procedurat tona tregon sesa janë ata drejtpërdrejtë të njoftuar për aktivitetet dhe punën tonë si prokurori. Kur flasim për pavarësinë, perceptimi i qytetarëve është se policia është me e besueshme se prokuroria… Sa i përket konfiskimit kanë të drejtë qytetarët dhe duhet të jemi vetkritik, ne nuk jemi ende në nivelin e detyrës. Kur kishim rastin Banjska pjesa më e madhe e tyre ishte konfiskim automatik, mirëpo kur flasim për konfiskimi civil për pasurinë e pajustifikueshme unë kam mbështetur çdo iniciativë në këtë drejtim por mbështetja ime ka mbetur shumë pak e realizuar për shkak se qeveria ka konstatuar se duhet të konfiskohet vetëm pasuria e personave zyrtarë. Ky ligj për byronë duhet të ndryshohet dhe të plotësohet”, tha Kelmendi.

Ndërkohë, Anëtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Fahret Vellija, tha se mungesa e buxhetit mbetet një nga pengesat kryesore për përmirësimin e funksionimit të sistemit gjyqësor.

“Në rastin konkret i kemi gjashtë për qind të këtyre të pyeturve që kanë pasur punë me sistemin gjyqësor, ndërsa pjesa tjetër nuk ka qenë pjesë. Përkundër faktit që gjatë viteve të fundit që sistemi gjyqësor ka arritur një progres të mirë kjo nuk ka kaluar tek publiku dhe tash një pjesë e barrës bie tek sistemi gjyqësor. Ne jemi munduar që gjatë kësaj periudhe me pasur bashkëpunim edhe me organizata joqeveritarë e media për të dëgjuar kritikat që keni karshi gjyqësorit. Në secilën gjykatë është caktuar një zyre vetëm për kontakt me publikun e cila është shumë e nevojshme”, shtoi Vellija.

Ndërsa zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, theksoi nevojën që drejtësia të jetë më e dukshme dhe e ndjeshme për qytetarët.

Qorolli: Qytetarët më parë i besojnë politikës sesa sistemit të drejtësisë

Sipas GLPS-së, sfidat strukturore, mungesa e burimeve financiare, ndikimi politik dhe mungesa e politikave të qëndrueshme vazhdojnë të pengojnë përparimin e sundimit të ligjit në Kosovë, ndërsa besimi i qytetarëve në drejtësi mbetet në nivele të ulëta.

Ne anketën e realizimit të vlerësimit të qytetarëve për institucionet e drejtësisë janë përfshirë 1065 qytetarë.