Samiti i BE-së: Kompromis minimal mbi asetet e ngrira ruse

Kompromis minimal mbi asetet e ngrira ruse

BE-ja e shtyu një vendim për përdorimin e aseteve të ngrira shtetërore ruse për Ukrainën. Por Komisionit të BE-së iu ngarkua detyra të paraqesë një propozim.

Pas orësh të tëra negociatash mbi përdorimin e mundshëm të aseteve të ngrira ruse për Ukrainën,  krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së ranë dakord në samitin e BE (23.10.) vetëm për një kompromis minimal. Në një deklaratë të samitit, ata vetëm e udhëzuan Komisionin e BE-së të shqyrtonte mundësitë për mbështetje financiare për Ukrainën. Pas samitit presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky megjithatë foli për një vendim të rëndësishëm, kurse kancelari gjerman Friedrich Merz e quajti samitin një diskutim të mirë dhe produktiv.

Asetet shtetërore ruse mbeten të ngrira

Në deklaratën përfundimtare mbi Ukrainën theksohet më tej, se asetet ruse duhet të mbeten të ngrira derisa Rusia “të kompensojë dëmin e shkaktuar nga lufta e saj”. Sipas diplomatëve të BE-së, ky formulim nuk përjashton shqyrtimin nga Komisioni të përdorimit të aseteve ruse. Megjithatë, deklarata e samitit nuk arriti ta përmbushte marrëveshjen, si ishte parashikuar fillimisht.

Plani ishte që Komisionit t’i ngarkohej posaçërisht detyra për të konkretizuar me siguri ligjore përdorimin konkret të aseteve. Komisioni i BE-së tani ka kohë deri në samitin e ardhshëm të BE-së më 18 dhjetor për të paraqitur propozimet e tij. Presidentja e Komisionit të BE-së,  Ursula von der Leyen tha se pikat që ende duhen sqaruar për të financuar kreditë e dëmshpërblimeve për Ukrainën me asetet e ngrira ruse janë identifikuar. “Dhe pastaj ne do të kthehemi me opsione të ndryshme.”

Shqetësime nga Belgjika dhe kompani gjermane

Në shtator, von der Leyen propozoi përdorimin e afërsisht 140 miliardë eurove nga fondet e bankës qendrore ruse të ngrira në Belgjikë për të financuar kreditë për Ukrainën. Rusia do të jetë në gjendje të përdorë përsëri fondet vetëm pasi t’i paguajë dëmshpërblimet Kievit. Shtetet anëtare të BE-së fillimisht do të jenë përgjegjëse për fondet.

Por sidomos Belgjika ka ngritur shqetësime serioze ligjore. Kryeministri Bart de Wever tha pas samitit: “Një bazë ligjore për këtë nuk është luks. Nuk është një detaj.” Në të njëjtën kohë kryeministri belg sinjalizoi gatishmërinë për të gjetur një zgjidhje. “Kemi disa javë kohë dhe problemet nuk duhen nënvlerësuar”, tha ai.

Belgjika ka frikë, ndër të tjera, se do të duhet të mbajë e vetme rreziqet financiare të kundërmasave të mundshme ruse. Sipas njoftimeve, edhe shtetet e tjera anëtare të BE-së ndajnë disa nga shqetësimet e Belgjikës. Kancelari Merz foli për “çështje vërtet serioze që duhet t’i zgjidhim”.

Edhe në qarqet e biznesit gjerman ka rezerva të forta për këtë. “Gjermania ka investuar në Rusi si asnjë vend tjetër. Prandaj, ajo ka më shumë për të humbur nga përdorimi i planifikuar i fondeve të bankës qendrore ruse për blerjen e armëve për Ukrainën”, tha Matthias Schepp, Kryetar i Dhomës së Tregtisë Gjermano-Ruse. Në total, asete me vlerë 100 miliardë euro janë në rrezik, sipas Schepp.