Rreth 25 produkte ushqimore po monitorohen nga Autoriteti i Konkurrencës për shkak të ngritjes së çmimeve. Nga ana tjetër, derisa qytetarët po vazhdojnë të ankohen se çmimet e produkteve bazike janë shumë të larta, njohësit e ekonomisë paralajmërojnë ngritje edhe në muajt në vijim.
Konsiderohet si një nga produktet esenciale për shumë familje. Çmimi i një litri qumësht në dyqanet në Kosovë po sillet nga rreth 1 euro e 20 centë deri në 1 euro e 70 centë.
Për shportën e konsumatorit, gjërat esenciale si 1 kilogram miell, 1 litër qumësht, 1 litër vaj e 1 kilogram sheqer po kushtojnë mbi 5 euro.
Për çmimet janë ankuar qytetarët, mirëpo çmimet e larta prodhuesit po i arsyetojnë me ngritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Por, a po e monitoron dikush këtë ngritje të çmimeve?
Mustafa ka treguar se po bëjnë edhe avokim te bizneset për veprimet të cilat ata nuk kanë të drejtë t’i ndërmarrin.
“Jemi duke bërë avokim në të gjitha ndërmarrjet që merren me këtë veprimtari. Avokim për ligjin për mbrojtjen e konkurrencës, për veprimet që ata nuk duhet t’i bëjnë dhe për veprimet që çojnë deri në shkelje të ligjit për mbrojtjen e konkurrencës.”
Ndërsa, nga Ministria e Industrisë dhe Tregtisë nuk kanë treguar nëse kanë ndërmarrë ndonjë veprim për monitorimin e tregut.
Njohës të ekonomisë thonë se në këtë situatë është e rëndësishme që të ngrihen pagat e punëtorëve.
“Nëse bashkohet gjithë ai investim në punësim, rritje pagash, atëherë sigurisht që ka një lloj qëndrueshmërie të mbijetesës. Faktikisht, pjesa më e madhe e qytetarëve të Kosovës janë duke mbijetuar me pagat që i kanë, një pagë mesatare rreth 500 euro”, tha Lulzim Beqiri, njohës i ekonomisë.



Të tjera
Osmani pas përfundimit të mandatit: “Do të vazhdoj nëse qytetarët e duan”
Osmani: Kosova nuk është e izoluar – Kam qenë pjesë e forumeve dhe kam vizituar shtete të ndryshme
Quni në mbrojtje të Zemajt: I palëkundur ndaj kërcënimeve, një partner i jashtëzakonshëm