Në procesin gjyqësor me shqyrtimin e padisë për vërtetim pronësie të paditësit H.I. ndaj E. dhe H.Z., gati është bërë një vit prej kur ishte mbajtur seanca e fundit, ajo e 11 nëntorit 2024, dhe Gjykata Themelore e Gjilanit – dega në Viti, nuk ka caktuar më asnjë gjykim tjetër.
Në këtë rast, familjari i palës paditëse dyshohej se kishte kanosur gjykatësin e këtij rasti, Raif Fazliun 5 ditë para se të mbahej gjykimi për vërtetim pronësie.
“Nëse ia jep të drejtën B. (E. dhe H.Z.), së pari do të hakmerremi ndaj teje, pastaj ndaj djemve të Sh.B., dhe lirisht po të them që paraprakisht merr fëmijët dhe dërgoji te shtëpia e djemve të Sh.” – ishin fjalët kanosëse që, sipas gjykatësit Fazliu, i ishin thënë nga familjari i paditësit, M.I.
Lidhur me procedimin e rastit për vërtetim pronësie nga kjo gjykatë, “Betimi për Drejtësi” më 13 tetor ka dërguar kërkesë për informata për të kuptuar nëse është caktuar ndonjë gjykim pas asaj të datës 11 nëntor 2024, dhe nëse po, kur; nëse jo, për cilat arsye ende nuk është caktuar seancë.
Për të njëjtën kërkesë është dërguar sërish rikujtim më 22 tetor 2025, por gjykata ka zgjedhur të heshtë, duke mos kthyer ende përgjigje.
Mirëpo, më 11 tetor 2024, kryetari i Gjykatës Themelore të Gjilanit, Venhar Salihu, kishte refuzuar kërkesën e gjykatësit Fazliu, me arsyetimin se personi M.I. nuk është paditës në lëndën për të cilën gjykatësi kishte kërkuar përjashtimin.
Në këtë vendim thuhet se gjykatësi Fazliu në vazhdimësi ka trajtuar lëndën dhe se nuk ka pasur pengesa gjatë procedimit të saj, prandaj mbi këto arsye është refuzuar kërkesa e gjykatësit.
Sipas padisë, thuhet se I. kishte rënë në kontakt me pronaren e tokës, Z.P., për blerjen e pronës në vlerë prej 125 mijë euro, për çka kishte paguar tërësisht çmimin kontraktues. Thuhet se I. ishte i pari për nga koha dhe, automatikisht, duhet të jetë i pari edhe për nga e drejta e pronësisë në ngastrën kadastrale të blerë nga P.
Gjithnjë sipas padisë, thuhet se E.Z. dhe H.Z. kishin rënë në kontakt në vitin 2012 me P., e cila u kishte treguar se pronën ia kishte shitur H.I., por se E. dhe H.Z., sipas padisë, duke shfrytëzuar naivitetin e P., e kishin blerë të njëjtën pronë prej saj.
Prandaj, në padi thuhet se i pari për nga koha duhet të jetë edhe i pari për nga e drejta, pasi që I. e kishte blerë pronën më 7 shkurt 2008 dhe se prona e blerë një herë nuk mund të shitet më tek persona të tjerë.
Nëpërmjet padisë, Gjykatës i është propozuar që të aprovojë në tërësi kërkesëpadinë e I. dhe të vërtetojë se ai është pronar i parcelave P-73701026-010441-1, P-73701026-01041-2, P-73701026-10141-3 dhe P-73701026-01031-4.
Ndërkaq, në përgjigjen ndaj padisë së ushtruar nga E. dhe H.Z. më 16 gusht 2024, i propozohet gjykatës që padia e paditëses P. të konsiderohet e tërhequr, ndërsa padia e ndërhyrësit kryesor I. të refuzohet si e pabazuar.
Tutje, thuhet se ndërhyrësi I. nuk ka bashkëngjitur asnjë provë që do të vërtetonte faktin se ka hyrë në posedim të ligjshëm të pronave kontestuese.
Gjithashtu, në përgjigje në padi thuhet se të paditurit E. dhe H.Z. e kanë fituar të drejtën e pronësisë, pasi kanë hyrë në bashkëposedim dhe shfrytëzim që nga momenti i lidhjes së kontratës me P.
Në fund, thuhet se meqenëse P., përmes të autorizuarit të saj, nuk ka bërë rregullimin e padisë në aspektin subjektiv dhe objektiv, e njëjta duhet të konsiderohet e tërhequr dhe, në mënyrë solidare me I., duhet t’u mbulojë të paditurve shpenzimet e procedurës.



Të tjera
Shmangni këto ushqime për një bark të sheshtë
“Dështim politik i Kurtit? Haradinaj thotë se zgjedhjet janë e vetmja rrugë”
“Takime të ndaluara? Limaj tregon se nuk ka pasur kontakt me Kurtin”