Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Kosova është renditur në vendin e 26-të në botë për nga siguria e investimeve, sipas Indeksit Global të Rrezikut dhe Qëndrueshmërisë së Investimeve, të publikuar nga organizata ndërkombëtare Henley & Partners.
Sipas këtij vlerësimi, Kosova është e para në rajon dhe ndodhet përpara disa shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, duke u pozicionuar si një vend gjithnjë e më tërheqës për investitorët e huaj.
Në reagimin e tij, Kurti tha se ky rezultat përfaqëson një dëshmi të rritjes së qëndrueshme ekonomike të vendit dhe të forcimit të sundimit të ligjit e sigurisë.
“Ky rankim i Kosovës është dëshmi e radhës e rritjes ekonomike dhe fuqizimit të sundimit të ligjit dhe sigurisë, sektorë të cilët bëjnë të mundur që të kemi ambient të përshtatshëm për të bërë biznes dhe të ofrojmë mundësi për investim në shumë fusha,” shkroi Kurti.
Biznesmeni Burim Piraj, e konsideron këtë lajm të mirë dhe të nevojshëm.
“Është një lajm i mirë dhe shumë i nevojshëm për Kosovën kur dihet se viteve të fundit nuk kemi pas investime të huaja të drejtpërdrejta domethënëse për zhvillimin ekonomik të vendit në veçanti në hapjen e vendeve të reja të punës. Kosova ka përmirësim të vazhdueshëm të imazhit në botë, edhe pse Serbia vazhdon me propagandë por prapëseprapë ka të arritura shumë të mëdha që Kosovën e radhisin si një prej vendeve më të sigurta në botë. Unë mendoj se nuk është vetëm ana e qeverisjes po ka ndikim shumë të madh dhe edukata qytetare familjare e Kosovarëve që ende kanë një familje të ruajtur tradicionale Shqiptare dhe fetare që i edukon fëmijët për mirësjellje dhe bamirësi në çdo situatë të jetës së tyre. Dhe kurrë nuk ka qenë çështja e sigurisë ajo që i ka penguar investitorët për të investuar në Kosovë”, deklaron Piraj.

Ai është pessimist për investimet e reja dhe kjo për shkak që sipas tij, Kosova e ka sistemin tatimor të vjetëruar.
“Jam shumë pesimist se do të ketë investime domethënëse edhe përkundër vlerësimit të lartë cekur, për arsye se Kosova është prej vendeve të rralla që ende një pjesë të lëndës së parë e takson, e ka sistemin tatimor të vjetruar, ka nevojë për një përditësim të tërësishëm të politikave tatimore duke u barazuar me vendet e rajonit , ka nevojë të ketë siguri në furnizim me energji elektrike e cila ndalet pa kurrfarë kriteri e më pas vjen shpresa për investitor të huaj potencial”, shton biznesmeni.
Detaje rreth kompanisë
Henley & Partners është një kompani ndërkombëtare konsulence e themeluar në fillim të viteve ’90, me seli qendrore në Londër dhe degë në mbi 30 vende të botës. Ajo është e njohur për ekspertizën e saj në politikat e migracionit, shtetësisë dhe qëndrimit përmes investimeve, duke bashkëpunuar me qeveri, institucione financiare dhe investitorë globalë.



Të tjera
Kurti zbulon zëvendëskryeministrat e rinj – kush do ta drejtojë Qeverinë Kurti 3?
Kurti paralajmëron: 1 miliard euro për mbrojtjen e Kosovës!
Fatjona Kasapi kap gjysmëfinalen e European Open Sarajeva 2025