Xhudistet kosovare, Flaka Loxha e Fationa Kasapi janë përballur në luftë për vend të tretë në “European Open” në Sarajevë.
Të dielën, në kategorinë deri 57 kilogramë, Flaka Loxha fitoi të bronztën, ndërsa Kasapi u rendit e pesta. Lufta mes tyre ishte pa shumë aksion, ndërsa u vendos me dënim. Në kohën shtesë Fationa Kasapi humbi luftën për kapje të gabuar.
Flaka nisi me fitore ndaj turkes Aysenur Karadag, ndërsa më pas e humbi luftën e fituar ndaj britanikes së njohur Chelsie Giles. Ndaj saj realizoi herët “Yuko” që i mjaftonte për fitore.
Por në sekondën e fundit të luftës britanikja realizoi hedhje për uazari.
Në repesazh, Flaka fitoi ndaj britanikes tjetër Lanina Solley e më pas edhe ndaj Kasapit.
26-vjeçarja ishte pa medalje në gara të rëndësishme që nga tetori i vitit të kaluar.
23-vjeçarja Fationa Kasapi kishte ecuri më të mirë në fazë të hershme të garës. Fillimisht e mposhti austriaken Laura Kallinger. Në çerekfinale e mposhti xhudisten e njohur nga Bosnjë-Hercegovina, Angjela Samarxhiq. Në gjysmëfinale Fationa humbi nga sllovenja Nika Tomc e më pas edhe nga Flaka Loxha.
Fationa është duke u kthyer në nivelin e lartë pas telasheve të shumta me lëndime. Dy vjet më parë ishte e treta në Evropianin U23.
Në Sarajevë garuan 164 xhudistë nga 29 shtete të ndryshme. Për Flakën e Fationën ishte garë e rëndësishme. Kosova është përfaqësuar vetëm me këto dy xhudiste.



Të tjera
Rusia do të kryente një atentat të rremë ndaj Viktor Orban për të fituar zgjedhjet
Frutat që të ndihmojnë lëkurën të duket më mirë
Franca mbështet Kosovën në rrugën drejt BE-së