Sejnur Veshalli, i propozuar nga kryeministri në detyrë Albin Kurti për postin e Ministrit të Zhvillimit Rajonal, ka reaguar pas seancës në Kuvend ku Qeveria e re nuk mori votëbesimin. Ai tha se për herë të parë në historinë e Kosovës një rom është propozuar për vendimmarrje.
“Sot rruga është e hapur për të gjithë. Për herë të parë në historinë e Kosovës, një rom u propozua për vendimmarrje, një moment historik, jo vetëm për komunitetin rom, por për gjithë shoqërinë tonë që beson në barazi dhe mundësi të drejta për secilin,” ka shkruar Veshalli.
Ai ka theksuar se ky është një hap që tregon se barrierat mund të thyhen kur njerëzit bashkohen dhe besojnë në të njëjtin ideal.
“Pas fitores së shkurtit, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari Kinolli më dhanë mundësinë që të jem pjesë e Qeverisë së Kosovës, një përgjegjësi dhe nder i madh. Sot, edhe pse Qeveria nuk u votua, ndihem shumë i privilegjuar dhe i nderuar që jam propozuar për herë të parë për vendimmarrje,” ka shkruar ai.
Veshalli ka shtuar se ky moment shënon fillimin e një rruge të re, ku zëri i secilit qytetar, pa dallim, mund të dëgjohet dhe do të dëgjohet.
“Ju faleminderit që ishit me mua në këtë rrugëtim, që më mbështetët dhe besuat në mua,” ka përfunduar ai.



Të tjera
Haxhi Avdyli pas dështimit të “Qeverisë Kurti 3”: Skena politike është ndarë në dy blloqe të mëdha!
Dieta gjermane që ju ndihmon të humbisni 9 kilogramë brenda dy jave
IHMK thotë se mund të ketë vërshime në disa zona pas reshjeve të shiut