Prokuroria Speciale ka njoftuar se i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh të dyshuarit, B.Sh., për kryerjen e veprës penale “Marrja e ryshfetit”.
Prokuroria Speciale thotë se me Urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në zyrën e të dyshuarit janë kryer bastisje dhe janë sekuestruar prova, që sipas tyre do të shërbejnë gjatë procedurës hetimore.
“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës, në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, kanë kryer bastisje në zyrën e punës dhe në vendbanimin e të dyshuarit. Gjatë bastisjes janë sekuestruar prova materiale që do të shërbejnë gjatë procedurës hetimore penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Tutje, ky institucion ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor të përcaktuar në Kodin e Procedurës Penale do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
“Prokuroria Speciale, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, rithekson përkushtimin në luftën kundër korrupsionit dhe në sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave të dyshuar për kryerjen e veprave penale korruptive”, thuhet në njoftim.
Prokurori B.Sh. u arrestua sot gjatë paradites në vendin e tij të punës.



Të tjera
Kosova gati për përballjen me Turqinë, zhvillon stërvitjen zyrtare në “Fadil Vokrri”
Gjasat 50 me 50, por duam të shkojmë në Botëror
Ekspozita për krimet në Kosovë të korrigjohet dhe të rikthehet e vërteta e plotë në qershor