Të hënën është takuar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe ai i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Takimi i tyre, i realizuar në një nga lokalet e Prishtinës, nuk u konsiderua “i rëndësishëm” për t’i njoftuar mediat se çfarë u diskutua.
Asnjëri nga ta nuk dha detaje pas përfundimit të takimit, ndërsa kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, deklaroi se nëse do të kishin dashur të raportonin për përmbajtjen e bisedës, atëherë do t’i kishin ftuar edhe mediat.
“Ishte një takim i shkëlqyeshëm me një mik të shkëlqyeshëm siç është Fatmir Limaj. Me pasë dashtë ju me ditë, ju kishim thirrë në takim”, u shpreh Abdixhiku me një ton ironik.
Sipas këtyre reagimeve, qëllimi i një marrëveshjeje të tillë do të ishte forcimi i LDK-së për t’u renditur si partia e dytë në nivel vendi, përpara Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Për këto raportime ka folur në një prononcim për gazetën “Bota Sot” analisti politik Blerim Burjani, i cili vlerëson se mund të ketë aludime dhe tentativa për ta interpretuar takimin në këtë mënyrë, por që në realitet gjasat për një listë të përbashkët janë të vogla.
“Aludime, perceptime mund të ketë apo edhe tentativa për t’u shpjeguar dhe interpretuar kështu. Mendoj që Fatmiri e ka shumë vështirë të hyjë në listën e LDK-së në zgjedhjet e jashtëzakonshme. Ai, përpara se të hyjë në listë të LDK-së, mund t’i kthehet PDK-së. Sidoqoftë, takimi i sotëm është vetëm bisedë dhe pajtueshmëri për të shkuar në zgjedhje dhe për të mos dhënë votë për VV-në. Kurti është gjunjëzuar plotësisht – ai ka pohuar qartë se do të shkojë në zgjedhje pas dështimit të tij dëshpërues”, shprehet Burjani.
Sipas tij, skenari më i mundshëm mund të jetë krijimi i një koalicioni më të gjerë opozitar.
“Marrëveshja që unë e quaj ‘për shtetin’ mes LDK-së, NISMËS dhe PDK-së mund të jetë zgjidhje për ta hequr LVV-në nga dominimi. PDK-së nuk i intereson shumë një gjë e tillë – nuk ka aty asgjë për ta. Pra, PDK është neutrale në këtë temë, duke pasur parasysh se LDK dhe NISMA nuk mund të shkojnë shumë larg PDK-së me vota. VV-ja nuk merret fare me këtë punë”, shton Burjani.
Sipas analistit, opozita aktuale po kërkon mënyra për të krijuar një bosht të ri politik përballë Vetëvendosjes, por ende nuk ka ndonjë strategji të qartë të përbashkët.
Kujtojmë se rreth zgjedhjeve të reja, ka folur dje edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Në një konferencë për media, Kurti ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka marrë ende ftesë nga presidentja Vjosa Osmani lidhur me mandatarin për formimin e qeverisë së re.
Ai ka thënë, sipas Kushtetutës, çështja e mandatarit për herën e dytë është në diskrecionin e presidentes, por shtoi se nga zhvillimet e fundit duket se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja.
Ai shtoi se është për të ardhur keq që vendi mund të përballet me disa palë zgjedhje brenda një periudhe të shkurtër kohore.
“Mbase është për të ardhur keq — përveç balotazhit, edhe dy herë të tjera zgjedhje. Edhe zgjedhje në dimër edhe zgjedhje në pranverë, sepse kur nuk arritëm t’i bëjmë 61 deputetë për një qeveri të re, atëherë është e pamundur t’i bëjmë 80 deputetë për zgjedhjen e presidentes. Kemi mundur së paku këto zgjedhjet e dhjetorit t’i evitojmë,” u shpreh ai.



Të tjera
Si ta përgatisni shurupin e xhenxhefilit për ta trajtuar kollën?
Kosova e përkushtuar në luftën kundër pastrimit të parave
A e dini çfarë i ndodh trupit kur qëndroni ulur gjatë?