Atmosfera e vitit 2020 po rikthehet! Politologu paralajmëron: Zgjedhjet nuk janë zgjidhje!

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, të dielën mandatari për kryeministër, Albin Kurti, nuk arriti të marrë besimin e deputetëve për formimin e qeverisë së re.

Nga 120 deputetë sa ka parlamenti, Kurti mori 56 vota pro, 52 kundër dhe 4 abstenime. Për t’u zgjedhur, atij i duheshin të paktën 61 vota, shumica e nevojshme për miratimin e kabinetit qeveritar.

Gjatë fjalimit të tij në Kuvend, Kurti pranoi se nuk ka arritur të sigurojë një koalicion që do t’i mundësonte krijimin e shumicës qeverisëse.

“Këto gjashtë muaj përpjekjet për ndërtimin e një shumice qeverisëse nuk dhanë rezultat. Asnjëra nga partitë parlamentare nuk ka pranuar të hyjë në marrëveshje për bashkëqeverisje. Nëse oferta jonë për bashkëpunim do të ishte pranuar, sot do të kishim mundësi të formonim një qeveri të koalicionit dhe të tejkalonim sfidën e zgjedhjes së presidentit që na pret pas katër muajve,” tha Kurti.

Ajo pritet të zhvillojë konsultime me partitë politike për të parë nëse ndonjëra prej tyre mund të sigurojë shumicën parlamentare dhe të propozojë mandatarin e ri për krijimin e ekzekutivit.

Nëse asnjë forcë politike nuk arrin të sigurojë shumicën e nevojshme, vendi pritet të shkojë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme në muajt e ardhshëm.

Ndërsa, të nesërmen, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka marrë ende ftesë nga presidentja Vjosa Osmani lidhur me mandatarin për formimin e qeverisë së re.

Në një konferencë për media, Kurti u shpreh se, sipas Kushtetutës, çështja e mandatarit për herën e dytë është në diskrecionin e presidentes, por shtoi se nga zhvillimet e fundit duket se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja.

Ai shtoi se është për të ardhur keq që vendi mund të përballet me disa palë zgjedhje brenda një periudhe të shkurtër kohore.

“Mbase është për të ardhur keq — përveç balotazhit, edhe dy herë të tjera zgjedhje. Edhe zgjedhje në dimër edhe zgjedhje në pranverë, sepse kur nuk arritëm t’i bëjmë 61 deputetë për një qeveri të re, atëherë është e pamundur t’i bëjmë 80 deputetë për zgjedhjen e presidentes. Kemi mundur së paku këto zgjedhjet e dhjetorit t’i evitojmë,” ka shtuar ai.

A po përsëritet atmosfera e vitit 2020, kur në Kuvend të Kosovës u votua për shkarkimin e Qeverisë Kurti 1 dhe a janë mundësitë që të përsëriten zgjedhjet e vitit 2021, për këtë ka folur në një prononcim politologu Adnan Qaka.

“Shteti ynë po shkon drejt zgjedhjeve të reja pas dështimit të formimit të qeverisë Kurti 3, çka tregon se Kosova po përballet sërish me një krizë të re politike. Atmosfera politike aktuale është pothuajse e ngjashme me atë të vitit 2020. Megjithatë, këtë herë opozita nuk pritet të arrijë të formojë qeverinë; rrjedhimisht, vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja parlamentare. Ndërsa nëse mund të përsëriten rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2021, mendoj se është ende herët për të nxjerrë përfundime. Deri në muajt e fundit para zgjedhjeve, partitë politike mund të kenë ndryshime dhe rezultate befasuese. Aktualisht, megjithatë, një gjë e tillë nuk duket e mundshme. Opozita, në prapaskenë, do të punojë bashkërisht për ta dobësuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe shpesh do të shfaqet me qëndrime të unifikuara kundër saj. Por, si koalicion i bashkuar kundër VV-së, opozita nuk do të hyjë në zgjedhje, pasi një veprim i tillë mund të ketë efekt të kundërt, duke bërë që elektorati ta ndëshkojë opozitën dhe t’i japë më shumë vota Vetëvendosjes. Për këtë arsye, partitë opozitare pritet të garojnë veç e veç”, shprehet Qaka.

Image

Adnan Qaka

Ai zgjidhje sheh qeverinë e përkohshme teknike.