Juventus rikthehet te fitorja pas pesë javësh, triumfon 3-1 ndaj Udineses – Ekonomia Online

Juventus rikthehet te fitorja pas pesë javësh, triumfon 3-1 ndaj Udineses

Pas pesë javësh pa fitore, Juventusi më në fund gjeti rrugën e suksesit duke mposhtur Udinesen 3-1 në “Allianz Stadium”.

Ekipi bardhezi, tashmë nën drejtimin e përkohshëm të Massimo Brambillas, mori avantazhin që në minutat e para të sfidës. Dusan Vlahovic u tregua i saktë nga pika e bardhë në minutën e 5-të, pasi vetë fitoi penalltinë pas një kontakti me Saba Goglichidze në zonë, raporton Klankosova.tv.

Në fund të pjesës së parë, Nicolo Zaniolo barazoi rezultatin për miqtë, duke dërguar skuadrat në pushim me shifrat 1-1. Pas ndërprerjes, Juventusi rifitoi epërsinë falë mbrojtësit Federico Gatti, i cili shënoi me kokë në minutën e 66-të pas një krosimi perfekt nga Cambiaso.

Në kohën shtesë, Kenan Yildiz vulosi fitoren me një tjetër penallti, të cilën e fitoi vetë pasi u ndal në mënyrë të parregullt brenda zonës. Me këtë sukses, “Zonja e Vjetër” ngjitet në vendin e gjashtë të renditjes me 15 pikë.

Ndërkohë, në “Olimpico”, Roma arriti një fitore të rëndësishme 2-1 ndaj Parmës, duke u ngjitur në krye të tabelës së bashku me Napolin, të dyja me nga 21 pikë.