Kurti në Forumin e Paqes në Paris: Kosova, histori e dyfishtë suksesi

Kosova, histori e dyfishtë suksesi

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte i ftuari kryesor në panelin “Paqeruajtja në një udhëkryq: E ardhmja e misioneve të OKB-së dhe përgjegjësia globale”, organizuar në kuadër të Forumit të Paqes që po mbahet në Paris.

 

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti theksoi se Kosova përfaqëson një histori të dyfishtë suksesi: së pari, si shembull i një ndërhyrjeje të suksesshme ushtarake dhe humanitare të NATO-s që ndali gjenocidin e Serbisë, dhe së dyti, si një shtet ku zhvillimi dhe demokracia ecin krah për krah.

Ai nënvizoi se me forcimin e institucioneve shtetërore është ulur nevoja për prezencë ushtarake ndërkombëtare, ndërkohë që vendi ka shënuar rritje të qëndrueshme ekonomike.

“Sot, Kosova ka një Bruto Produkt Vendor për kokë banori gjashtë herë më të lartë sesa në vitin 2000 dhe tri herë më të lartë sesa në vitin e shpalljes së pavarësisë më 2008”, tha Kurti, duke shtuar se çlirimi dhe pavarësia kanë sjellë përfitime të prekshme makroekonomike dhe sociale për qytetarët.

Siç njofton Kryeministria, Kurti ka deklaruar se çdo mision paqeruajtës kërkon vlera të përbashkëta dhe jo vetëm interesa të përbashkëta, duke vënë theksin tek rëndësia e multilateralizmit, dialogut dhe marrëveshjeve. Ai përmendi Bashkimin Evropian si shembull të një projekti politik e historik të paqes dhe prosperitetit.

Në vijim, gjatë pyetjeve nga audienca, Kryeministri Kurti foli për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, përfshirë tri njohjet e reja gjatë këtij viti, si dhe për aspiratat e vendit për integrim në Bashkimin Evropian dhe NATO, në përputhje me rëndësinë e bashkëpunimit rajonal.