“Perversitet politik i Ramës” apo hap i bashkëpunimit: Çfarë fshihet pas emërimit të Liburn Aliut?

Të martën u zyrtarizua emërimi i drejtorit të ri të Portit të Durrësit. Në krye të një prej ndërmarrjeve më strategjike të Shqipërisë është vendosur Liburn Aliu, ish-ministri i Infrastrukturës në Qeverinë “Kurti 2”. Ceremonia e prezantimit të tij u zhvillua në ambientet e portit, ku ishte e pranishme zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Aliu, në fjalën e tij të parë si drejtues i ri, tha se ndihej “i nderuar dhe i privilegjuar” për detyrën e re që i është besuar. Me një batutë që u prit me buzëqeshje, ai shtoi:

“Në Kosovë më shihnin si të Shqipërisë, ndërsa këtu si të Kosovës.”

Në fjalimin e tij, ish-ministri theksoi rëndësinë e Portit të Durrësit për ekonominë e gjithë rajonit, duke e cilësuar atë “port të të gjithë shqiptarëve”.

Kujtojmë se Liburn Aliu kishte dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit të Infrastrukturës dhe Ambientit në qeverinë Kurti më 27 gusht të këtij viti, vetëm një ditë pas zgjedhjes së Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Në një postim të mëvonshëm në rrjetet sociale, Aliu kishte deklaruar se zgjedhja e Bashës ishte “arsyeja kryesore” e largimit të tij nga kabineti qeveritar, duke lënë të kuptohej se në prapaskenë kishte pakënaqësi të thella me drejtimin politik të momentit brenda Lëvizjes Vetëvendosje.

Emërimi i tij në krye të Portit të Durrësit – një pozicion i rëndësishëm jo vetëm ekonomikisht, por edhe politikisht – ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovë dhe Shqipëri, duke u parë nga shumë analistë si një lëvizje me domethënie të dyfishtë nga ana e kryeministrit Edi Rama.

Nela: “Njollë e zezë mbi qeverinë e Kosovës dhe një perversitet politik i Edi Ramës”

“Emërimi i Liburn Aliut si drejtor i Portit të Durrësit është, indirekt, një kompromentim i rëndë dhe një njollë e zezë mbi qeverinë e Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje. Liburn Aliu nuk është politikan dosido, por një ish-funksionar i lartë i subjektit politik më të madh në Kosovë dhe ish-ministër i rëndësishëm i Albin Kurtit. Ky emërim është një palaçollëk i Ramës përmes të cilit ai u dërgon mesazhin shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve se nuk ka problem me Kosovën, por me Kurtin,” – deklaron Nela.

Ai shkon edhe më tej në akuzat e tij, duke thënë se pranim i një posti të tillë nga ana e Aliut “nuk mund të shpjegohet ndryshe veçse si akt naiviteti ose bashkëpunimi me interesa të huaja”.

“Të pranosh një post të lartë publik nga njeriu që ka shkaktuar aq shumë dëme ndaj Kosovës dhe shtetësisë së saj, mund ta bëjë vetëm një bashkëpunëtor i Serbisë – pra një antishqiptar safi – ose një naiv teveqel politik që nuk e ka haberin se çfarë ndodh në trojet shqiptare,” – shton ai, duke kujtuar gjithashtu se Porti i Durrësit është “një nga ndërmarrjet më të korruptuara dhe më të kriminalizuara në Shqipëri gjatë sundimit soro-rilindas”.