“Zyrtare: Kontratë shtesë për fabrikën e prodhimit të municionit”

Viti 2026-të pritet të sjellë përfitime shtesë për Forcën e Sigurisë së Kosovës

Përveç furnizimit me armatim dhe pajisje tjera ushtarake të sistemeve më të avancuara, FSK pritet të ketë edhe municionin e vet.

Zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes, Liridona Gashi thotë se pas nënshkrimit të kontratës me kompaninë turke më 16 dhjetor të vitit 2024, për ndërtimin e fabrikës për prodhimin e municioneve, është nënshkruar edhe pjesa tjetër e kontratës më 3 tetor të vitit 2025.

Gashi tregoi edhe llojet e kalibrave që do të prodhohen.

Sipas saj, kapacitetet e prodhimit në vit do të kalojnë numrin treshifrorë.

“Fillimisht kapacitetet prodhuese të fabrikës do të jenë dikund 20 milionë fishekë në vit, ndërsa sigurisht synojmë të rrisim prodhimin. Dhe më pas edhe të eksportojmë, pra do të ketë edhe gjenerim të të hyrave përvec se do të ketë edhe ngritje ekonomike, falë faktit që do të bëhet edhe hapja e vendeve të reja të punës me funksionalizimin e fabrikës”, tregon Gashi.

Së fundi Ministria e Mbrojtjes bleu edhe dronë kamikaz SkyDagger të prodhimit turk.

Zëdhënësja e këtij dikasteri, vlerëson se Forca e Sigurisë së Kosovës po avancon drejt ngritjes së kapaciteteve ushtarake.

Tutje, nga kjo ministri deklaruan se muajt në vijim pritet të ketë ardhje të tjera të pajisjeve ushtarake për FSK-në.