Presidentja Osmani pret sot në takim krerët e partive politike

Presidentja Osmani pret sot në takim krerët e partive politike

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka dërguar dje ftesë kryetarëve të partive politike për takim, i cili do të zhvillohet sot në orën 12:00. Takimi është thirrur pas dështimit të formimit të qeverisë.

 

Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje konfirmoi se përfaqësuesit e kësaj partie do të marrin pjesë në takimin e ftuar nga presidentja Osmani dhe se aty do të paraqesin qëndrimin e tyre.

Partia Demokratike e Kosovës ka konfirmuar gjithashtu pjesëmarrjen në takimin e sotëm. Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, tha për RTKlive se në takim do të jetë i pranishëm edhe kryetari i partisë, Memli Krasniqi.
“Po, e kemi marrë ftesën dhe kryetari merr pjesë”, ka deklaruar Çitaku.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka konfirmuar pjesëmarrjen e kryetarit të saj, Lumir Abdixhiku.
“Po, kryetari merr pjesë”, ka thënë zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, për RTKlive.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është bërë e ditur se në takim do të marrë pjesë kryetari Ramush Haradinaj.
“Po, kryetari Haradinaj do të marrë pjesë në takim”, ka thënë për RTKlive zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemajli.

Pjesëmarrjen e ka konfirmuar edhe Nisma Socialdemokrate. Xhevahire Izmaku tha se lideri i partisë, Fatmir Limaj, do të jetë i pranishëm në takim.
“Po, do të marrim pjesë në takimin e thirrur nga presidentja, në kuadër të përkushtimit tonë për dialog dhe bashkëpunim institucional”, ka deklaruar Izmaku.