Basha: Heroizmi i policëve të rënë është vazhdimësi e lavdisë kombëtare

Heroizmi i policëve të rënë është vazhdimësi e lavdisë kombëtare

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, mori pjesë sot në aktivitetin përkujtimor të mbajtur në Pejë, në nderim të policëve të rënë në krye të detyrës. Kjo ngjarje tradicionale u organizua nga Sindikata e Policisë së Kosovës.

Në fjalën e tij, Basha shprehu mirënjohjen më të thellë për familjarët e policëve të rënë, duke theksuar se ata përfaqësojnë shembullin më fisnik të sakrificës dhe dashurisë për atdheun.

“Heroizmi i tyre është vazhdimësi e lavdisë sonë kombëtare, që përcillet nga brezat që trasuan rrugën drejt lirisë, e deri te zyrtarët tanë policorë që sot mbrojnë rendin kushtetues të shtetit tonë”, tha Basha.

Ai vlerësoi Policinë e Kosovës si një nga institucionet më të besuara dhe më të respektuara në vend, duke theksuar se raportet ndërkombëtare e rendisin Kosovën si vendin më të sigurt në Evropë dhe të tretin në botë.

“Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës, shpreh respektin dhe mirënjohjen më të lartë për të gjithë zyrtarët policorë që çdo ditë qëndrojnë në vijën e parë të mbrojtjes së rendit, ligjit dhe sigurisë publike. Kujtimi për policët tanë heroikë do të mbetet përherë i gjallë në zemrat tona. Sakrifica dhe përkushtimi i tyre do të frymëzojnë çdo brez që vjen për ta dashur atdheun me të njëjtin ideal, guxim dhe shpirt sakrifice”, theksoi Basha.

Kjo ngjarje përkujtuese shënon një moment reflektimi dhe nderimi për të gjithë ata që dhanë jetën në shërbim të paqes, rendit dhe sigurisë së qytetarëve të Kosovës.