Deklarata e Kurtit për buxhetin, Çitaku: Skandaloze, kërcënoi hapur qytetarët

Pas deklaratës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili tha se “nuk jep buxhet për kryetarët që nuk dinë të punojnë apo që vjedhin”, ka reaguar ashpër nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.

Ajo e ka cilësuar këtë deklaratë si “skandaloze” dhe “kërcënim të hapur” ndaj qytetarëve të vendit.

“Çfarë deklarate skandaloze nga Kryetari i VV sonte. Ai kërcënoi hapur qytetarët e Kosovës, duke u thënë se nëse nuk votojnë për vasalët e tij në komuna, ai si Kryeministër nuk do t’i mbështesë. Në fakt, kjo nuk më befasoi. Ashtu ka qeverisur prej ditës së parë: me ndëshkim politik ndaj komunave që nuk udhëhiqen nga partia e tij”, ka shkruar Çitaku në një reagim në Facebook.

Sipas saj, ka komuna të qeverisura nga PDK që kanë përfituar “0 euro” nga buxheti i Kosovës, megjithëse ato janë renditur ndër më të mirat për transparencë dhe menaxhim të mirë financiar.