Balotazhi i 9 Nëntorit / LDK dhe PDK në kundërsulm – VV para testit të madh politik!

Analisti politik Sadri Ramabaja, ka paralajmëruar se balotazhi i 9 nëntorit 2025 do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në dinamikat qendrore të pushtetit, duke e cilësuar atë si një “mini-referendum për drejtimin e ardhshëm të shtetit”.

Sipas tij, nëse Lëvizja Vetëvendosje arrin të zgjerojë bazën lokale, kjo do të forcojë pozitën e saj për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që pritet të mbahen në dhjetor. Por, nëse LDK dhe PDK rikuperojnë terren në komuna strategjike, atëherë do të sinjalizohet një ribalancim politik që mund ta komplikojë ndërtimin e shumicës së ardhshme qeverisëse.

Ramabaja thekson se përballja më e ashpër pritet në Prishtinë dhe Mitrovicë, të cilat do të jenë përcaktuese për zhvillimet politike në nivel qendror.

Shkrimi në Facebook:

Balotazhi i planifikuar për 9 nëntor 2025 pritet të ketë jehonë të drejtpërdrejtë në politikën qendrore. Ai do të shërbejë si tregues i forcës reale të partive në terren, por edhe si matës i legjitimitetit moral të qeverisë aktuale.

Nëse Lëvizja Vetëvendosje arrin të zgjerojë bazën e saj lokale, kjo do të interpretohet si konfirmim i besimit publik ndaj modelit të saj të qeverisjes dhe do ta forcojë pozitën e saj në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që pritet të mbahen në dhjetor 2025.

Në të kundërt, nëse partitë tradicionale si LDK apo PDK arrijnë të rikuperojnë terren nëpër komuna strategjike, kjo do të sinjalizojë një ribalancim të pushtetit politik dhe një fragmentarizim të peizazhit elektoral, i cili mund ta komplikojë ndërtimin e shumicës së ardhshme qeverisëse.

Ky zhvillim ilustron një tipar të demokracive në tranzicion që Samuel P. Huntington e ka përkufizuar si “demokraci të konsoliduara nëpërmjet rivalitetit të vazhdueshëm të elitave”.

Lëvizja Vetëvendosje pritet të ruajë avantazhin e saj në shumicën e komunave ku po garon në raundin e dytë. Por përballja do të jetë më e ashpër pa dyshim, sidomos në qendrat urbane ku tashmë janë formuar koalicione lokale kundër kandidatëve të VV-së. Sidoqoftë, përcaktuese për zgjedhjet e parakohshme do të jenë Prishtina dhe Mitrovica, pa përjashtuar as qendrat tjera veç e veç.