“UÇK-ja për ju ishin te*rroristë, për të tjerët luftëtarë të lirisë” – profesori britanik i përgjigjet gazetarit serb

“UÇK-ja për ju ishin te*rroristë, për të tjerët luftëtarë të lirisë” – profesori britanik i përgjigjet gazetarit serb

Profesori i historisë në Universitetin e Oxfordit, James Pettifer, ka folur për periudhën e luftës në Kosovë në një intervistë për Televizionin Publik të Serbisë (RTS), ku ka komentuar perceptimet e ndryshme rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në pyetjen e gazetarit serb, i cili e cilësoi UÇK-në si “organizatë terroriste”, Pettifer kujtoi se perceptimet për këtë çështje kanë qenë gjithmonë të ndryshme dhe shpesh varen nga këndvështrimi politik.

“Një nga temat me të cilat merreni është Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Keni shkruar se ajo ishte ndoshta lëvizja e parë e suksesshme kryengritëse në Europë pas Luftës së Dytë Botërore. Ne e konsiderojmë atë si organizatë terroriste. Në fakt, edhe Shtetet e Bashkuara e konsideronin të tillë deri në qershor të vitit 1998, kur Richard Holbrooke u takua me udhëheqësit e UÇK-së. A ishte kjo një pikë kthese në politikën e SHBA-ve?”, pyeti gazetari.

Në përgjigje, profesori britanik tha se termi “terrorist” është i debatueshëm dhe shpesh përdoret në mënyrë të ndryshme nga vende të ndryshme.

“Siç e dimë, ata që për disa janë terroristë, për të tjerë janë luftëtarë për liri. Këtë mund ta shihni çdo ditë në televizion, në rastin e Palestinës. Askush në botë nuk është dakord se çfarë saktësisht është ‘terrorist’. Politologët shkruajnë libra të gjatë për këtë”, tha Pettifer.

Profesori James Pettifer është autor i disa librave mbi historinë moderne të Ballkanit dhe zhvillimet politike në Kosovë, përfshirë studime të rëndësishme mbi rolin e UÇK-së dhe ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999.”/telegrafi
.