Kandidati për kryetar të Komunës së Kllokotit, Sreqko Spasiq nga Nisma Qytetare “Uniteti Kombëtar Serb” i është bashkuar Listës Serbe, parti nga e cila ka qenë kundërkandidati i tij.
Sipas një njoftimi nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – Spasiq së bashku me të gjithë anëtarët dhe këshilltarët e kësaj nisme iu bashkuan kësaj partie, duke shtuar se ata “besojnë pa rezerva në presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq”.
Sipas rezultateve preliminare, në rundin e balotazhit për zgjedhjet lokale Spasiq do të përballet me kandidatin e Listës Serbe, Bozhidar Dejanoviq.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të kuptuar nëse në Kllokot do të mbahet rundi i balotazhit më 9 nëntor, pas vendimit të Spasiqit, dhe është në pritje të përgjigjes.
“Njëkohësisht, unë, Sreqko Spasiq, dëshiroj të njoftoj opinionin publik dhe të gjithë qytetarët e komunës së Kllokotit se tërhiqem nga gara zgjedhore dhe nuk do të marr pjesë në rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunës së Kllokotit që do të mbahet më 9 nëntor. Me gjithë forcën dhe energjinë time, së bashku me anëtarët e deritanishëm të ‘Unitetit Kombëtar Serb’, e tashmë anëtarë të Listës Serbe, do të përkushtohemi për fitoren e Listës Serbe”, u tha në njoftim.
Kllokoti është e vetmja komunë me shumicë serbe që ka shkuar në balotazh, pasi në nëntë komunat e tjera Lista Serbe ka fituar qysh në rundin e parë të zgjedhjeve lokale të mbajtur më 12 tetor.
Sipas rezultateve, në rundin e parë në Kllokit, Bozhidar Dejanoviq fitoi 893 vota apo 41.38 për qind të votave, ndërkaq Sreqko Spasiq 674 vota apo 31.23 për qind. / REL



Të tjera
Netflix po vret pasionin në dhomën e gjumit
Tërmkolli: VV bashkë me PDK, LDK e AAK po përshpejtojnë ndarjen e Kosovës – Vendimi i KQZ-së për Listën Serbe, i rëndë për sigurinë e vendit
Iu kapën pesë tonë marihuanë një zyrtari të partisë së tij, Vuçiq: Shteti s’është i përfshirë