Dilema politike në Prishtinë – a do të ketë mandatar të ri apo zgjedhje të reja?

Kosova vazhdon të mbetet në bllokadë politike teksa legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës nuk ka arritur të formojë qeverinë e re.

Mandatari i parë i Lëvizjes Vetëvendosje në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës nuk arriti të sigurojë 61 votat e nevojshme, teksa mori besimin e 56 deputetëve.

Pas takimit me liderët e partive që përfaqsohen në Kuvend me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani u bë e ditur se nuk ka marrëveshje mes subjekteve politike, megjithatë e para e vendit tha se do të bëjë gjithçka që të evitohen zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Subjekti i parë i dalë nga zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga presidentja afat 10 ditor për mandatarin e ri, teksa nesër e mërkurë me 5 nëntor përfundon ky afat ku edhe do të mësohet nëse vendi do të shkojë në zgjedhje apo do të formohet qeveria e re.