Refuzohet si e pabazuar kërkesa e AVONET për masë të sigurisë kundër vendimit të Qeverisë lidhur me Projektligjin për ndarjet buxhetore 2026

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative e ka nxjerrë aktvendim me të cilin ka refuzuar si të pabazuar propozimin e Rrjetit të OJQ-ve AVONET me të cilin ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë ndaj vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për projektligjit për ndarjet buxhetore të vitit 2026.

“REFUZOHET në tërësi si i pabazuar propozimi i paditëses/propozueses Rrjeti i OJQ-ve AVONET, me të cilin ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë ndaj Vendimit të të paditurës/kundërpropozueses Qeveria e Republikës së Kosovës, derisa të merret vendimi i plotfuqishëm gjyqësor sipas padisë së ushtruar në Gjykatë”, thuhet në vendimin e marrë më 10 nëntor 2025.

Në arsyetimin e vendimit, Gjykata ka theksuar se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e një mase të tillë sigurie, raporton “Betimi për Drejtësi”

“Gjykata konstatoi se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e një mase të tillë sigurie, sipas nenit 99 të Ligjit për Konfliktet Administrative” thuhet në vendim.

“Sa i përket kushtit të parë, paditësi nuk ka arritur të dëshmojë ekzistencën e një dëmi të rëndë e të pakthyeshëm që mund t’i shkaktohet si rezultat i mospezullimit të aktit të kundërshtuar. Sa i përket kushtit të dytë, Gjykata çmon se marrja e masës së sigurisë do të cenonte rëndë interesin publik. Buxheti i shtetit përbën instrumentin themelor për funksionimin e institucioneve publike, për zbatimin e politikave shtetërore dhe për sigurimin e vazhdimësisë së shërbimeve publike ndaj qytetarëve”, thuhet në aktvendimin e kësaj Gjykate.

Po ashtu, sipas këtijn vendimi, Gjykata pati parasysh edhe praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe atë të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian, andaj sipas vlerësimit të Gjykatës, në frymën e këtyre parimeve dhe në rrethanat e këtij rasti, pezullimi i aktit të Qeverisë në detyrë do të binte ndesh me interesin publik të garantimit të vazhdimësisë së funksioneve shtetërore dhe me parimin e sigurisë juridike.

“Gjykata vlerësoi se ndërhyrja në këtë fazë do të cenonte parimin e sigurisë juridike, i cili kërkon që veprimet dhe aktet e organeve publike të gëzojnë stabilitet dhe parashikueshmëri deri në shqyrtimin përfundimtar të ligjshmërisë së tyre. Njëkohësisht, gjykata thekson rëndësinë e respektimit të procedurës ligjore të parashikuar për shqyrtimin e akteve administrative, duke shmangur ndërhyrje të përkohshme që mund të tejkalojnë kufijtë e kësaj faze procedurale”, thuhet në vendim.

Sipas padisë së paraqitur më 3 nëntor 2025 nga rrjeti i OJQ-ve “Avonet”, thuhet se padia paraqitet bazuar në Ligjin për Konfliktet Administrative, duke kërkuar anulimin e vendimit të Qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës, të datës 31 tetor 2025, për aprovimin e projektligjit për ndarjet buxhetore të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, në padi thuhet se, përveç shkeljes së Kushtetutës, është shkelur edhe Ligji për Qeverinë, konkretisht neni 31, që përcakton kufizimet e Qeverisë në detyrë. Sipas padisë, Qeveria aktuale është bazuar gabimisht në këtë nen me arsyetimin se nuk është qeveri në dorëheqje, siç përcakton ligji.

Prandaj, në fund, i është propozuar gjykatës që të aprovojë padinë dhe të anulojë vendimin e Qeverisë për projektligjin për ndarjet buxhetore. Në këtë padi, Avonet ka paraqitur edhe kërkesë-propozim për masë të përkohshme të sigurisë, me arsyetimin se me zbatimin e vendimit të Qeverisë do të shkaktohej dëm i rëndë, i vazhdueshëm dhe i pakthyeshëm, pasi pagesat buxhetore ndaj operatorëve ekonomikë, në mënyrë të kundërligjshme, do të krijonin pasoja të menjëhershme në buxhetin e shtetit.

Tutje, në padi thuhet se me zbatimin e vendimit shkaktohet edhe dëm institucional dhe se nëse nuk vendoset masa, humbet efekti i saj. Shtohet se masa nuk cenon interesin publik, pasi qëllimi i saj është parandalimi i një akti të kundërligjshëm dhe i shpërndarjes së buxhetit mbi bazën e një vendimi të paligjshëm.

Prandaj, i është propozuar gjykatës që të aprovojë në tërësi masën e përkohshme të sigurisë ndaj vendimit të Qeverisë dhe të pezullojë ekzekutimin e tij.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës, përmes përgjigjes në padi të datës 7 nëntor 2025, ka theksuar se Gjykatës Themelore i mungon juridiksioni dhe kompetenca për shqyrtimin e padisë në fjalë.

Sipas përgjigjes, paditësi nuk e ka të qartë se projektbuxheti nuk është akt administrativ dhe përfundimtar, andaj nuk ka bazë për ushtrimin e padisë me kërkesë për masë të përkohshme.

Sa i përket cilësisë së organizatës, sipas përgjigjes, është e vështirë të përcaktohet se cilat të drejta janë cenuar dhe cilat tenton t’i mbrojë paditësi, pasi Avonet, sipas saj, interesat e veta mund t’i mbrojë para një organi administrativ.

Tutje, në përgjigje thuhet se paraqitja e padisë nga Avonet përbën abuzim të të drejtave procedurale, pasi i mungon legjitimiteti për paraqitjen e padisë dhe nuk ka rekord përfaqësimi në kuptim të mbajtjes së interesave kolektive apo publike.

Sipas Qeverisë, masa e përkohshme caktohet vetëm nëse ekziston dëm i rëndë, ndërsa paditësi nuk ka parashtruar asnjë dëm të tillë për interesat e veta.

Në përgjigje thuhet se marrja e masës së përkohshme do të cenonte rëndë rendin juridik, pasi do të përbënte bllokim të përgjithshëm, jo vetëm të jetës institucionale, por edhe të funksionimit të shtetit e shoqërisë.

Tutje, është theksuar se caktimi i masës së përkohshme të sigurisë do të pezullonte dhe pengonte procesin e miratimit të Buxhetit të Kosovës, gjë që do të përbënte ndërhyrje të papranueshme të pushtetit gjyqësor në kompetencat e pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ.