Më 17 nëntor Shqipëria do të hapë bisedimet për pesë kapitujt e përfshirë në grupkapitullin e fundit në negociata e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian (BE), transmeton Anadolu.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka konfirmuar mbajtjen e konferencës së shtatë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së. Rama ka deklaruar se Shqipëria e arriti të pamendueshmen, të gjithë kapitujt e negociatave të hapura brenda 12 muajsh, që sipas tij është “rekord absolut në procesin e integrimeve evropiane”.
Rama ka shkruar në rrjetet sociale se “asgjë nuk na dal dot drejt majës së Shqipërisë 2030 në BE” dhe “Askush nuk na ndal dot drejt objektivit madhor të mbylljes së negociatave brenda 2027”.
“Përtej vështirësive, pengesave, dëmtimeve të pashmangshme apo baltës së pandashme, në ngjitjen e kësaj të përpjete historike, ne po e rrisim e forcojmë muaj pas muaji Shqipërinë, me një ekonomi që po rritet; me pensionet që po rriten; me pagën minimale që po rritet; me pagat e tjera që po rriten; me investimet e brendshme e të huaja që po rriten; me mbështetjen për më të dobëtit e për të sëmurët me kancer që po rritet; me investimet e brendshme e të huaja që po rriten; pa rritur asnjë taksë dhe duke përmirësuar hap pas hapi punën e institucioneve të shtetit”, ka shkruar Rama.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, në reagimin e saj ka deklaruar se kishin premtuar hapjen e të gjithë kapitujve të negociatave brenda vitit 2025 dhe sipas saj ai që dukej angazhim i pamundur është bërë realitet.
“Më datë 17 nëntor 2025, Shqipëria do të hapë bisedimet për 5 kapitujt e përfshirë në Klasterin 5 – ‘Bujqësia, Kohezioni dhe Burimet’. Një fazë historike për Shqipërinë, një gur kilometrik në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe një moment krenarie për çdo shqiptar, brenda dhe jashtë vendit. Kjo është ajo që sjellin reformat, vullneti i palëkundur politik, përkushtimi dhe bashkëpunimi i ngushtë me institucionet dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian”, ka shkruar Spiropali në rrjetet sociale.
Shqipëria është vend kandidat për anëtarësimin në BE që nga viti 2014. Konferenca e parë ndërqeveritare midis Shqipërisë dhe BE-së është mbajtur në korrik 2022. Në tetor 2024 u mbajt konferenca e dytë ndërqeveritare, duke shënuar hapjen zyrtare të negociatave për grupkapitujt e parë ndërsa konferenca e tretë ndërqeveritare u mbajt në dhjetor 2024. Në prill 2025 u mbajt konferenca e katërt ndërqeveritare, në maj u mbajt konferenca e pestë dhe në shtator të këtij viti u mbajt konferenca e gjashtë ndërqeveritare Shqipëri-BE.
Shqipëria synon të përfundojë negociatat deri në vitin 2027, ndërkohë synon anëtarësimin e plotë në BE deri në vitin 2030.



Të tjera
Faton Peci dorëzon kallëzim penal kundër Ekrem Llukës, Lirim Mehmetajt dhe Ermal Pandurit
Si ta përdorni uthullën e mollës për mirëmbajtjen e flokëve?
Brenda grupit të fletëvotimeve të përdorura në Mitrovicë, 17 vota i përkasin kandidatit të PDK-së, 10 kandidatit të VV-së