Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hysen Berisha, ka deklaruar se Bedri Hamza mund të jetë kryetari i ri i këtij subjekti politik pas dorëheqjes së Memli Krasniqit nga ky post.
Në emisionin “Mesditë” në Tëvë1, Berisha ka theksuar se Hamza është personi i duhur, pasi posedon të gjitha aftësitë dhe përvojën e nevojshme. Ai ka shtuar se më i rëndësishëm sesa emri i kryetarit të ardhshëm është drejtimi që ai do t’i japë PDK-së.
“Më i rëndësishëm sesa emri është drejtimi që do të marrë partia, duke u bazuar në tri shtylla: besueshmërinë, përgatitjen dhe përgjegjësinë që duhet ta ketë ai që vjen në krye. PDK-ja ka dokumente që përcaktojnë mënyrën e funksionimit të brendshëm dhe rregullimin organizativ. Bedri Hamza është aktualisht i identifikuar si kandidat për kryeministër, por mund ta drejtojë edhe partinë, sepse i ka të gjitha aftësitë dhe është një histori suksesi”, ka deklaruar Berisha.
I pyetur nëse ekziston konsensus brenda partisë për zgjedhjen e Bedri Hamzës si kryetar të ri të PDK-së, Berisha është shprehur se mund të ketë unanimitet të përgjithshëm.
“Ka pasur konsensus në konventën e nominimit të tij si kandidat për kryeministër, dhe ka pasur një unanimitet të përgjithshëm jo vetëm brenda forumeve të partisë, por edhe nga përkrahësit e PDK-së. Mendoj se ai do ta ketë këtë mbështetje edhe tani,” ka theksuar ai.
Megjithatë, sipas Berishës, PDK-ja ka edhe shumë personalitete të tjera që mund ta marrin drejtimin e partisë.
“Nuk është e thënë që nuk do të ketë edhe kandidatura të tjera, sepse PDK-ja ka shumë personalitete të mira që mund ta udhëheqin partinë drejt vizionit dhe përgjegjësive tona të përbashkëta,” ka përfunduar ai.



Të tjera
Apeli hedh ankesën e mbrojtjes së Thaçit e të tjerëve për një dëshmitar që u konstatua se s’dëshmoi për shkak se pati ndikim ndaj tij
Hoxha pret në takim komandantin e KFOR-it, flasin për situatën e sigurisë në Kosovë
Rreziku nga konsumimi i cigareve elektronike