Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, priti sot në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në vend. Presidentja shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën dhe popullin tonë, transmeton KosovaPost.
“Presidentja gjithashtu diskutoi për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e drejtësisë tranzicionale, përfshirë mbështetjen për Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, si një institucion kyç për dokumentimin e së vërtetës dhe promovimin e drejtësisë. Në përmbyllje, Presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për avancimin e bashkëpunimit bilateral me Mbretërinë e Bashkuar, veçanërisht në fushën sigurisë, mbrojtjes, ekonomisë, tregtisë, si dhe të drejtave të njeriut”, thuhet në njoftimin nga Presidenca.
Në vazhdë të kësaj, u diskutua edhe për përgatitjet për të shtyrë përpara iniciativën e Presidentes për lidhjen e një marrëveshjeje strategjike me Mbretërinë e Bashkuar, siç është diskutuar me Sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar gjatë vizitës së tij në Kosovë.



Të tjera
Sëmundjet lidhen me gjendjen psiqike
Kush do të startojë kundër Andorrës?
Bedri Hamza shpall kandidaturën për kryetar të PDK-së