Osmani falënderon Hargreaves për mbështetjen e fuqishme të Britanisë ndaj Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në vend.

Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohjen e saj për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës dhe popullit të saj, duke theksuar rolin e rëndësishëm të këtij partneriteti në forcimin e institucioneve demokratike dhe të sigurisë në vend.

Gjatë takimit, është diskutuar edhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e drejtësisë tranzicionale, përfshirë mbështetjen për Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, i cili ka një rol kyç në dokumentimin e së vërtetës dhe promovimin e drejtësisë.

Në përmbyllje të takimit, Presidentja Osmani ka rikonfirmuar përkushtimin e Republikës së Kosovës për avancimin e bashkëpunimit bilateral me Mbretërinë e Bashkuar në fusha të ndryshme, përfshirë sigurinë, mbrojtjen, ekonominë, tregtinë dhe të drejtat e njeriut.