Analistët dhe ish‑zyrtarët kritikojnë Thaçin: Strategjia për të shmangur përgjegjësitë komanduese nuk funksionon

Në Hagë ende po vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit – për të cilët ende nuk është dhënë një vendim përfundimtar.

Gjatë seancave të fundit, dëshmitari Christopher Hill ka dëshmuar lidhur me rolin e Hashim Thaçit.

Hill ka deklaruar se nuk kishte një shpjegim të qartë, por mendonte se Thaçi nuk ishte vendimmarrës.

“S’kam shpjegim, por kam mendime. Ndoshta ai nuk ishte aq i fuqishëm sa dukej nga jashtë, sepse çdo vendim që merrte vinte si rezultat i shumë konsultimeve pararendëse. Përshtypja ime është se ai ishte një bashkëbisedues i besueshëm, por jo vendimmarrës.”

“Ai nuk kishte as aftësinë dhe as kompetencën për të marrë vendime për UÇK-në. Thaçi kishte më shumë rolin e ministrit të Punëve të Jashtme – ishte fytyra e UÇK-së.”

Tahiraj: Pse mbrojtja ka zgjedhur këtë strategji, është çështje e tyre, por në vlerësimin tim, ajo është e gabuar

Veprimtari Saim Tahiraj, ka kritikuar strategjinë e mbrojtjes së Hashim Thaçit, duke e quajtur “të pandershme dhe të gabuar”.

Ai thotë se është e padrejtë që përgjegjësia të bartet vetëm te komandantët e zonave, pasi dokumentet dhe dëshmitë tregojnë për një rol aktiv të Shtabit të Përgjithshëm.

Image

Saim Tahiraj

Sipas tij, dëshmitë e emisarëve amerikanë janë kontradiktore: nga njëra anë e paraqesin Thaçin pa kompetenca, por nga ana tjetër e njohin si përfaqësues kryesor të UÇK-së.

“Strategjia që ka zgjedhur ekipi i mbrojtjes së Thaçit, për ta larguar atë nga përgjegjësia komanduese, mendoj se është e pandershme dhe e gabuar për disa arsye.

Së pari, bartja e tërë përgjegjësisë te komandantët e zonave është e padrejtë dhe jorealiste, edhe pse ata kishin përgjegjësitë e tyre. Këtë e demantojnë shumë dëshmi, si dokumentet e lëshuara nga Shtabi i Përgjithshëm, komunikatat zyrtare, dëshmitë e shqiptarëve në Hagë, librat e të akuzuarve, libri i kolonel Tahir Zemajt dhe të shumë aktorëve të tjerë që ishin pjesë aktive e ngjarjeve gjatë gjithë luftës.

Dëshmitë e emisarëve amerikanë – Rubin, Hill dhe të tjerëve – janë kontradiktore, sepse në njërën anë përpiqen ta zhveshin Thaçin dhe Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së nga përgjegjësia, ndërsa në anën tjetër i paraqesin si personat kryesorë me të cilët ata kanë biseduar në vazhdimësi, si përfaqësues legjitimë të Shtabit të UÇK-së.

Tahiraj theksoi se faktet dhe dëshmitë shpesh bien ndesh me ato të emisarëve amerikanë që përpiqen ta shkëpusin Thaçin nga përgjegjësia komanduese.

Ai e cilësoi këtë strategji të mbrojtjes si të gabuar. Sipas tij, procesi në Hagë po nxjerr në pah shumë të vërteta mbi kontradiktat dhe përçarjet e brendshme në radhët e UÇK-së, të cilat, siç tha, çuan edhe në vrasje politike.

 “Mendoj se argumentet, faktet dhe dëshmitë janë pjesërisht në kundërshtim me dëshmitë e emisarëve amerikanë që përpiqen ta largojnë Thaçin nga përgjegjësia komanduese. Pse mbrojtja ka zgjedhur këtë strategji, është çështje e tyre, por në vlerësimin tim, ajo është e gabuar.

Haziri: Edhe dëshmia e ambasadorit Hill edhe ajo më parë e z.Rubin është në këtë vijë

Lidhur me këtë temë, analisti Nexhat Haziri vlerësoi se mbrojtja e Thaçit dhe të tjerëve në Hagë po synon ta paraqesë UÇK-në si organizatë pa strukturë komanduese, çka shkon në favor të të akuzuarve.

Ai tha se dëshmitë e Hill dhe Rubin ndjekin këtë linjë, duke shpërndarë përgjegjësinë.

Image

Nexhat Haziri

 “Në librat dhe rrëfimet e tyre dikur e theksonin rolin udhëheqës në UÇK, ndërsa tani po e mohojnë atë për të shmangur përgjegjësinë,” tha Haziri, duke e quajtur këtë “një taktikë të qëllimshme të mbrojtjes.”

 “Po, është një strategji që e ka ndërtuar mbrojtja e z. Thaçi, por edhe të tjerëve që janë të akuzuar nga Gjykata Speciale në Hagë, duke bërë që UÇK-ja të duket një organizatë militare pa një strukturë komanduese. Edhe dëshmia e ambasadorit Hill edhe ajo më parë e z.Rubin është në këtë vijë, pra një shpërndarje e përgjegjësisë, që shkon në favorin e katërshes së akuzuar. Pra janë dëshmi krejtësisht të ndryshme nga ato rrëfimet që ne i kemi dëgjuar, që janë thënë po nga personat që tashmë janë si të akuzuar, që janë shkruar në libra të shumtë, për përgjegjësinë që këta kishin në UÇK, për organizimin komandues, për të ndërtuar lavdinë e tyre si protagonist të rëndësishëm historik të periudhës së luftës në Kosovë.

Tashmë në procesin e Gjykatës Speciale, po shohim rrëfim tjetër, refuzimi i kësaj lavdie dhe mosmarrja e përgjegjësisë, një taktikë e ndërtuar nga mbrojtja, që do t’i bënte jo përgjegjës personat e akuzuar për krimet e pretenduara nga ana e UÇK-së”, përmbylli ai