Hoxhaj kërkon shtyrjen e Konventës së PDK-së

Hoxhaj kërkon shtyrjen e Konventës së PDK-së

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka thënë se konventa e partisë për të zgjedhur kryetarin, e cila është caktuar për të hënën e javës së ardhme, duhet të shtyhet.

 

Hoxhaj ka theksuar se “një parti serioze nuk mund të mbajë një konventë politike dhe përmbajtjesore në një kohë kaq të shkurtër”.

Ai ka kërkuar nga Kryesia e PDK-së shtyrjen e konventës për të paktën deri të dielën e ardhshme.

“Kështu do u jepej mundësia anëtarësisë dhe delegatëve të njihen me kandidaturat dhe platformat për zhvillimin e partisë dhe për çështje serioze që prekin vendin. Kjo do ta rriste cilësinë e kandidaturave dhe konkurrencën ndërmjet platformave, pasi zhvillimet e fundit kanë qenë të befasishme”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.

Ai ka shkruar se kjo, siç e ka quajtur, nguti, nuk garanton garë cilësore, e as reformimin dhe unitetin e kërkuar e të domosdoshëm për PDK-në në këtë kohë.

“Në partitë demokratike, më shumë se një kandidaturë është mundësi për delegatët që të zgjedhin lirisht dhe ndihmon në pasurimin e platformave individuale, duke çuar në ndërtimin e një platforme të përbashkët për PDK-në. Për një vendimmarrje kaq të rëndësishme, kërkoj që procesi zgjedhor të shtyhet, në mënyrë që gara të hapet për të gjithë dhe baza të ketë kohën e duhur për të shprehur vullnetin e saj pa presion dhe pa imponime. Dorëheqja e kryetarit, e shoqëruar me preferenca për pasuesin, krijon përshtypjen e skemave të sajuara e të paragjykuara, të cilat nuk e çojnë partinë përpara”, ka shkruar Hoxhaj.

Ai ka thënë se është “kundër çdo imponimi, kundër çdo tentative për të orientuar garën dhe kundër çdo formule që shpërfill bazën dhe delegatët”.

“PDK-ja ka nevojë për drejtim të ri, jo për skema të vjetra; ka nevojë për vizion të ri, jo për ndërrim rolesh. Ky është momenti për t’i hapur rrugën ndryshimit të vërtetë”, ka shkruar ai.

Të mërkurën e kësaj jave, Memli Krasniqi, ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të PDK-së.

Deri më tash, Bedri Hamza ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për postin e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

“Me përgjegjësi dhe besim në të ardhmen e partisë sonë, e shpalli kandidaturën time për Kryetar të PDK-së. Unë besoj se PDK-ja ka forcën për t’u unifikuar, reformuar dhe rikthyer si partia kryesore në vend”, ka shkruar Hamza në Facebook.

Ai ka theksuar se tash është momenti për një PDK të bashkuar dhe të fokusuar në zhvillimin e vendit.

“Tani është koha për një PDK të bashkuar, që lufton për drejtësi, zhvillim dhe një Kosovë evropiane. PDK është familja jonë dhe së bashku do ta hapim kapitullin e ri të fitoreve”, ka shkruar ai.

Hamza u zotua se do të punojë për të ruajtur vlerat e partisë dhe për të krijuar hapësira të reja për gjeneratat e reja.