Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për “Politico”, ka theksuar se rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian mbetet e bllokuar. Sipas saj, procesi i bazuar në merita, për të cilin BE-ja flet aq shumë, ende nuk po shihet në praktikë.
Presidentja Osmani ka thënë se rruga drejt integrimit në BE është e vetmja rrugë drejt së cilës populli i Kosovës ka qenë i orientuar.
“Populli i Kosovës nuk ka shikuar asnjëherë diku tjetër. Ne kemi qenë të orientuar vetëm drejt kësaj rruge, rrugës së integrimit në BE. Ne nuk flirtojmë me fuqitë e tjera… por, në të njëjtën kohë, nuk ndiej se ky përafrim me BE-në dhe fakti që jemi 100 për qind në linjë me politikat e BE-së është vlerësuar. Krejt e kundërta, është marrë si e mirëqenë”, ka theksuar Osmani për Politico.
Sipas saj, 97% e njerëzve në Kosovë janë pro-evropianë dhe se reformat në ekonomi, në sundimin e ligjit, sidomos në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, kanë qenë thelbësore.
Megjithatë, Osmani ka deklaruar se Kosova mbetet e bllokuar në rrugën e saj të integrimit evropian, dhe procesi i bazuar në meritë ende nuk po zbatohet.
“Shpresoj, ashtu siç thatë edhe ju, që Gjermania do të luajë një rol udhëheqës në shtyrjen përpara të një procesi të bazuar në meritë, sepse ne nuk po kërkojmë bamirësi”, ka thënë Osmani.
Presindetja Osmani ka folur edhe për aplikimin e Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat, duke thënë se ai nuk është shqyrtuar ende dhe ndodhet diku në sirtarët e BE-së.
“Ne nuk po kërkojmë bamirësi, nuk po kërkojmë rrugë të shkurtër. Po kërkojmë respekt për punën që bëjmë dhe pranimin e reformave që ndërmarrim. Dhe nëse kjo do të merrej parasysh, Kosova do të bëhej vend udhëheqës. Por realiteti është se, tani për tani, aplikimi ynë as nuk është shqyrtuar. Ne aplikuan në dhjetor 2022 dhe tani jemi pothuajse në dhjetor 2025. Ai ndodhet diku në sirtarët e Bashkimit Evropian dhe nuk po ecën përpara”, ka theksuar Osmani.



Të tjera
Nëse shënoj dhe fitojmë, s’ka me pasë njeri ma t’lumtun n’botë
Si të ulni shtypjen e gjakut me vetëm këtë ushqim
Konventa duhet të mbahet brenda 5 ditësh, mirëpresim garën e brendshme