Rama publikon kallëzimin penal kundër Muratit: Shihemi në Prokurori!

Rama publikon kallëzimin penal kundër Muratit: Shihemi në Prokurori!

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës ndaj ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, dhe disa zyrtarëve të tjerë të këtij institucioni, përcjell KosovaPost.

Në kallëzim thuhet se zyrtarët e Ministrisë së Financave, “duke tejkaluar kompetencat e tyre apo duke mos i përmbushur detyrat zyrtare”, kanë bllokuar alokimin e mjeteve financiare për Komunën e Prishtinës, duke shkaktuar dëm në projekte, shërbime dhe pagesa të punëtorëve.

Pas dorëzimit të kallëzimit penal, kryetari Përparim Rama i është drejtuar ministrit në detyrë, Hekuran Murati me mesazhin: “Hekuran Murati, shihemi në Prokurori!”

Rama ka thënë se pret që ministri në detyrë të bashkëpunojë me drejtësinë.

“Sinqerisht shpresoj që përgjigja jote ndaj institucioneve të drejtësisë të jetë më e përgjegjshme sesa ajo e kryetarit tënd të partisë, që ka një vit që nuk i përgjigjet thirrjeve zyrtare të prokurorisë!”, ka shkruar ai. Punëtorët dhe qytetarët e Kryeqytetit nuk duhet të mbesin pa paga e pa shërbime, vetëm sepse ju keni zgjedhur t’i përdorni për të shantazhuar opozitën!”, ka theksuar i pari i Prishtinës.

Rama ka paralajmëruar se do t’i ndjekë deri në fund të gjitha procedurat. “Ju garantoj që ne do t’i përdorim të gjitha mjetet ligjore për të mbrojtur të drejtën e tyre!”, ka shtuar ai.