“Kosova na dominoi si askush tjetër” – Sllovenët pranojnë disfatën e rëndë në fushë e në tribuna – Ekonomia Online

“Kosova na dominoi si askush tjetër” – Sllovenët pranojnë disfatën e rëndë në fushë e në tribuna

Kosova i shkaktoi humbje të rëndë Sllovenisë të shtunën mbrëma. Pos në fushë, disfata ishte e rëndë për sllovenët edhe në tribunat e stadiumit në Lubjanë.

“Stozhice” u dominua nga shqiptarët dhe më shumë dukej si “Fadil Vokrri” se si stadiumi kryesor i Sllovenisë. Të kota ishin masat që morën në federatën sllovene për ndeshjen me Kosovën. Ishte paralajmëruar se në tribuna, pos në atë me tifozë zyrtarë të Kosovës, nuk do të lejoheshin flamuj të tjerë pos të Sllovenisë. Kjo në praktikë nuk ndodhi. Flamuj shqiptarë e të Kosovës kishte në secilën tribunë. Por edhe tifozët pa simbole, që ishin shumica, i dhanë përkrahje të madhe Kosovës.

Në fushë pamja ishte e njëjtë. Dominim i plotë i lojtarëve të Kosovës për fitore 2:0 në fund. Kosova do të luajë të paktën në plejof, ndërsa sllovenët po i afrohen fundit të një kampanje dëshpëruese.

Mediumet sllovene kanë publikuar tekste të shumta për numrin e madh të shikuesve të Kosovës në tribunat e stadiumit “Stozhice”.

Për këtë në konferencë për shtyp foli edhe selektori i Sllovenisë, Matjazh Kek.

“Urime Kosovës për fitoren plotësisht të merituar. Lojtarët e Kosovës na kanë mposhtur dhe në duele dominuan ndaj nesh si askush deri më tani. Edhe në tribuna kjo ishte njëra prej ndeshjeve më të vështira në shtëpi”, ka thënë Kek.

Ai e kishte të pamundur të injoronte dominimin e tifozëve të Kosovës, ka shkruar “siol.net”.

“Ata e mbushën ‘Stozhicen’ dhe me krenari e dekoruan me flamuj të Kosovës dhe Shqipërisë”, shkruan ky medium.

Kosova e mposhti Slloveninë në tentimin e katërt. Dy ndeshjet e para i humbi, ndërsa në të tretën barazoi.

Selektori slloven, Kek, i ka dëshiruar suksese Kosovës në vazhdim të kualifikimeve. Ai ka thënë se lojtarët e Kosovës dominuan në të gjitha aspektet e lojës.

“Të gjitha duelet, të gjithë topat e dytë… Të gjitha ishin të tyre”, ka theksuar Kek, që ka pranuar se ishte vështirë të luhet në shtëpi, në atmosferë që dukej si ndeshje në udhëtim për Slloveninë.

“Ishte goxha vështirë, por në Prishtinë një muaj më parë ishin 15 mijë tifozë të Kosovës dhe ne dominuam. Këtë herë na shkatërruan”.

Tekniku i njohur slloven ka thënë se lojtarët e Kosovës morën forcë në çdo top që e fituan gjatë ndeshjes. Ai ka thënë se fitorja në Suedi muajin e kaluar, ka mbushur lojtarët e Kosovës me vetëbesim të jashtëzakonshëm.

Kritikat ndaj përfaqësueset sllovene janë të shumta tashmë. Ish-reprezentuesi slloven, Marinko Galiq, ka shkruar se “është e trishtueshme të shohësh kosovarët duke na mposhtur bindshëm në mes të Lubjanës, si në fushë ashtu edhe në tribuna”.

Ka pasur kritika të shumta edhe për tifozët sllovenë, që ishin të paktë në ndeshjen ndaj Kosovës.

“A ka Sllovenia tifozë të futbollit, apo janë vetëm tifozë turistë?”, ka pyetur ish-portieri Nejc Vidmar.