Agjencia për Barazi Gjinore, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ka shënuar 20-vjetorin e Agjendës për Barazi Gjinore me konferencën ndër–rajonale “30 vjet pas Pekinit”.
Në këtë ngjarje ka marr pjesë presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë Albin Kurti, dhe nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Presidentja Vjosa Osmani u shpreh se barazia gjinore nuk është vetëm premtim apo fjalë në letër, por betim dhe veprim i përditshëm.
Ajo u bëri thirrje institucioneve dhe shoqërisë që të mbështesin vajzat dhe gratë, të thyejnë heshtjen dhe të jenë solidarë kundër padrejtësisë.
“Barazia gjinore asnjë herë nuk është fjalë në letër, nuk është premtim zgjedhor, barazia është një betim dhe veprim i përditshëm. Ne duhet të jemi zëri që thyen heshtjen duart që ngrisin njëra tjetrën, zemrat që nuk dorëzohen kurrë përball padrejtësisë.
Vetëm kështu mund të ecim përpara. Le të qëndrojmë të palëkundur në këtë mision, ku as një vajzë e grua nuk jeton nën hijen e frikës ku asnjë prej tyre nuk mbetet jashtë mundësive dhe ku çdo derë e jetës publike hapet pa dallim pa paragjykim pa asnjë barrierë. Le të ecim bashkë me besim, vendosmëri dhe me guxim sepse kjo është rruga drejt një shteti që i ngjanë idealeve tona të përbashkëta”, tha Osmani, raporton KP.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti theksoi se Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë masa konkrete për të thyer ciklin e varfërisë tek gratë, duke bërë të ditur se mbi 12 mijë gra janë punësuar drejtpërdrejt përmes programeve të punësimit.
“Sot teksa shënojmë këtë përvjetor riafirmojmë angazhimin e Kosovës si aleat i palëkundur i të drejtave të grave dhe barazisë gjinore. Edhe pse shumë më e re si Republikë Kosova i ka përkthyer angazhimet e platformës së Pekinit në politika konkrete. Një nga shtyllat e kësaj platformë është eliminimi i varfërisë së grave.
Si qeveri kemi marr masa që e thyejnë këtë cikël, mbi 12 mijë gra të punësuara drejtpërdrejtë nga programet e punësimit. Barazia të jetë praktikë në çdo vend pune për çdo vajzë e grua. Çdo institucion secila ndërmarrje dhe çdo komunitet duhet të jetë aleat për barazinë gjinore për një shoqëri ku potenciali i grave shihet, mbështetet dhe vlerësohet”, tha Kurti.
Ndërkaq, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu tha se janë vendosur themelet e Programit kombëtar për trajtimin e kryerësve të dhunës ndaj grave, janë hartuar kurrikula profesionale, janë forcuar mekanizmat lokal dhe është hapur rruga e punësimit institucional për gratë e mbijetuara nga dhuna – për herë të parë në Ballkan.
“Këtë vit shënojmë dy momente që kanë shënuar politikën ndërkombëtare, Pra siç u përmend 30 vjetorin e deklaratës së veprimit të Pekinit dhe 25 vjetorin e rezolutës 1235 të KS të OKB për gratë paqen dhe sigurinë. Dy dokumente që nuk dhanë vetëm udhërrëfyes, por po ashtu hapën rrugë të reja duke i bërë shtetet përgjegjëse për veprimet të matshme dhe jo vetëm premtime të mira.
Deklarata e Pekinit ishte një pikë kthese historike një kontratë politike globale që detyroi botën të shihte realitetin me sy të hapur se pa gra të mbrojtura të arsimuara të përfaqësuara dhe të fuqizuara ekonomikisht shoqëritë thjesht nuk ecin përpara…”, tha ajo, gjersa tregoi për ligjet dhe strategjitë që janë miratuar.





Të tjera
Pas Osmanit, ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë takon Kurtin
UÇK nuk ishte te*rroriste, janë njerëz që lu*ftuan kundër një regjimi të padrejtë
Nesër rifillon normalisht procesi mësimor