Nura: PDK s’ka vija të kuqe me LVV-në, qytetarët t’i japin shans Hamzës për kryeministë

PDK s’ka vija të kuqe me LVV-në, qytetarët t’i japin shans Hamzës për kryeministë

Deputeti i PDK-së, Jakup Nura, ka deklaruar se urimi i Kurtit për kryetarin e ri të PDK-së, Bedri Hamza është një veprim krejtësisht normal dhe se një gjë të tillë do ta kishte bërë edhe Hamza ndaj tij, pavarësisht siç tha ai përkatësisë partiake.

Nura theksoi se afrimi ndërmjet partive politike është i domosdoshëm, por duhet të bazohet në programe dhe plane të qarta për të ardhmen e vendit.

Nura u shpreh se zgjedhjet brenda PDK-së do ta forcojnë partinë për garën e ardhshme zgjedhore, duke shtuar se pret që qytetarët t’i japin një mundësi Bedri Hamzës për të qenë kryeministër i ardhshëm i Kosovës.

Ai tutje u shpreh se nuk është në dijeni për takime mes PDK-së dhe LVV-së, duke theksuar se duke qenë vetëm një ditë nga mbyllja e afateve, nuk pret zhvillime të reja që do të ndryshojnë situatën e krijuar prej 10 muajsh për Qeverinë.

“Unë mendoj që është diçka normale, një urim i cili mendoj që kryetari i tanishëm Bedri Hamza do e uronte edhe kryetarit të VV-së po të zgjidhte ose të rizgjidhej, unë mendoj dhe besoj që përafrimi mes partive politike duhet të jetë i domosdoshëm, por shpresoj dhe besoj që afërsia mes partive duhet të jetë sipas programeve dhe planeve që i kanë për të ardhmen. Besoj që PDK me zgjedhjen e tanishme e cila është bërë, mendoj që në zgjedhjet e ardhshme do të jemi më të fortë dhe uroj që Bedri Hamza si kryeministër i ardhshëm, mos ta humb në këtë rast qytetari i Kosovës që të ia jep një mundësi dhe një shans Bedri Hamzës për të ardhmen. Nuk jam në dijeni për diçka të tillë takime me VV-në. Pasi është dita e fundit për nesër, mendoj që nuk do të ketë ndonjë të re e cila do t’i ndryshoj  rrethanat ku jemi futur tash e 10 muaj. Asnjëherë PDK s’ka pasur vija të kuqe me LVV-në”, deklaroi Nura në emisionin “Mesditë” në Tëvë1.