Ismaili: Kurti ka marrë peng Konjufcën

Kosova ka hyrë në një mentalitet bllokues për shkak të Albin Kurtit, tha deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili.
Ai në seancën për votimin e qeverisë së re, tha se nuk ka vota për Glauk Konjufcën kryeministër, derisa theksoi se po tentohet të zgjidhet si kryeministër si i marrë peng nga Albin Kurti, raporton KosovaPress.
Ismaili: Kurti ka marrë peng Konjufcën, Kosova e di se nuk do të ishte në realitet kryeministër
“Krejt çka i intereson zotërisë Kurti është se si me ia lënë fajin ish-opozitës. Prandaj kjo seancë është farsë me një kandidat që e dinë edhe vet që s’mundet të luajë rolin e kryeministrit edhe me i pas votat për qeveri. Si mundet me qenë dikush kandidat për kryeministër që ia vendos dikush tjetër emrat e ministrave dhe ai s’ka të drejtë me propozuar asnjë emër për ministër? Ky është tregues i mjaftueshëm se çfarë kandidati për kryeministër është. Po ashtu tregon se zotëri Konjufca është marrë peng dhe në krye të qeverisë propozohet dikush që krejt Kosova e dinë se nuk është kryeministër në realitet. Kërkohet vota e deputetëve me legjitimuar marrjen peng të zotëri Konjufcës… Vota e PDK-së do të jetë kundër, por po ashtu jemi të vetëdijshëm se kjo seancë nuk është për t’u zgjedhur kryeministri, por për t’u fajësuar ish-opozita”, tha ai.
Sipas Ismailit, Kurti e ka futur Kosovën në një mentalitet bllokues.
Ismaili: Kurti e ka futur Kosovën në një mentalitet bllokues
“Kosova ka hyrë në një mentalitet bllokues dhe arkitekt i këtij mentaliteti bllokues është zotëri Kurti. Është dëshpëruese me pa Kuvendin në këtë mentalitet bllokues se dhjetë muaj”, theksoi Ismaili.
Lista Serbe thotë se s’ka votë për Qeverinë Konjufca
Igor Simiq nga Lista Serbe akuzoi LVV-në se ka shkelur të gjitha “rregullat” gjatë qeverisjes, duke theksuar se partia që ka nëntë deputetë nuk do të votojë për Qeverinë Konjufca.
Abdixhiku: Kurti sheh dhe krijon vetëm kundërshtarë

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se Kosova nën qeverisjen e Albin Kurtit të LVV-së nuk është udhëhequr nga arsyeja, duke e akuzuar Kurtin se “po krijon vetëm kundërshtarë”.
“Kosova ka një kohë që po udhëhiqet jo nga arsyeja, por nga një realitet paralel që e sheh Albin Kurti”, tha ai.
“Sikurse Don Kishoti i Servantesit, Albin Kurti i LVV-së, zgjohet çdo ditë, çdo mëngjes në një botë që e ka krijuar vetë dhe në atë botë Kurti sheh dhe krijon vetëm kundërshtarë”, shtoi Abdixhiku.
Ai tha se LVV-ja humbi 15 ditë kohë, pasi nuk ka vota për Qeverinë e Konjufcës, duke e cilësuar këtë seancë si “shfaqje teatrale”.
Ismaili: As vet Konjufca s’e beson që mund të jetë kryeministër

Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili thotë se jo vetëm qytetarët e Kosovës, por as VV e as Glauk Konjufca nuk besojnë se mandatari i propozuar mund të jetë me të vërtetë kryeministër, e Albin Kurti zëvendës i tij.
Gjatë fjalimit të tij në foltore, ai seancën e jashtëzakonshme për formimin e qeverisë së re, e quajti farsë.
“Sot jemi thirrur në një seancë që në thelb është e pakuptimtë, sepse rezultatet i dimë pothuajse të gjithë. Nuk ka njeri, as në VV e as në Kosovë, e fatkeqësisht as vet zotëri Konjufca beson se mund të jetë kryeministër i vërtetë, e zotëri Kurti zëvendës i tij”, tha Ismaili.
Kabineti i propozuar nga Konjufca: Kurti kryediplomat, Basha zëvendësohet me Bislimin

Mandatari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka prezantuar kabinetin qeveritar, që duhet të sigurojë të paktën 61 vota në Kuvendin me 120 deputetë për t’u miratuar.
Ky është kabineti i prozuar:
Zëvendëskryeministër i parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Albin Kurti
Zëvendëskryeministre e dytë dhe Ministre e Drejtësisë, Donika Gërvalla
Zëvendëskryeministër i tretë për çështje të pakicave dhe bashkëpunim ekonomik, Fikrim Damka
Ministër i Financave dhe Ekonomisë, Hekuran Murati
Ministër për Familje dhe Mirëqenie Sociale, Andin Hoti
Ministër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci
Ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla
Ministër i Administratës Publike dhe Digjitalizimit, Lulëzon Jagxhiu
Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia
Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Avni Zogiani
Ministër i Kulturës dhe Turizmit, Fatmir Spahiu
Ministër i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani
Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Rasim Demiri
Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli
Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja
Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, Besnik Bislimi
Ministre e Tregtisë, Industrisë dhe Integrimeve Evropiane, Mimoza Kusari
Ministre e Energjisë dhe Minierave, Artane Rizvanolli
Ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq
Ministër për Zhvillim Rajonal, Sejnur Veshall
Konjufca: Pa një Qeveri të re thellohet kriza në Kosovë

Konjufca tha se pa votimin e një Qeverie të re, vendi e ka të sigurt vetëm një gjë: thellimin e krizës.
“Me këtë Qeveri e kursejmë Kosovën nga dy palë zgjedhje eventuale. Do të ishte arrogancë ta çonim vendin tonë drejt në zgjedhje. Tash, nëse shkojmë në zgjedhje në dhjetor, kush do të na garantojë që do t’i shmangin ato edhe në mars?”, pyeti ai.
Konjufca nis fjalimin para Kuvendit

Mandatari për kryeministër, Glauk Konjufca, ka nisur fjalimin e tij para deputetëve të Kuvendit.
Ai tha se ky vit përshkruhet me bllokadë institucionale, pasi që nga zgjedhjet e 9 shkurtit, vendi ende nuk i ka krijuar institucionet.
“Për herë të parë, Kuvendi nuk arriti ta legjitimojë qeverinë e shtetit. Votimit të 26 tetorit i parapriu një krizë politike për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit”, tha ai.
Sipas tij, ky vit do të mbahet mend si vit ku u humb kohë për krijimin e institucioneve të Kosovës.
“Kush po ia lë kilen tjetrit”, Limaj thotë se mandatimi i Konjufcës për kryeministër ishte një lojë

Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka ripërsëritur qëndrimin e tij se nuk do të votojnë për qeverinë e re në krye me Glauk Konjufcën.
Pak para se të nisë seanca e Kuvendit për qeverinë e re, Limaj tha se mandatimi i Konjufcës për kryeministër ishte një lojë politike dhe tendencë, siç tha “kush po ia lë kilen tjetrit”.
Limaj tha se edhe seanca e jashtëzakonshme për themelimin e komisioneve parlamentare dhe miratimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare e buxhetit 2026 ishte një tallje dhe përmbytje e rendit ligjor dhe kushtetues në Kosovë, raporton KosovaPress.
“Kush po ia lë kilen tjetrit”, Limaj thotë se mandatimi i Konjufcës për kryeministër ishte një lojë
“S’ka seancë parlamentare për komisione dhe buxhet paradite dhe pasdite me zgjedh qeveri. Rregullat janë ndryshe, zgjidhet qeveria dhe pastaj shkohet dhe futet parlamenti në punë me komisione dhe buxhet. Kjo fatkeqësisht tregon që ne jemi në një lojë. Një lojë e cila tërësisht është kalkulim elektoral dhe nuk e ka aspak shqetësimin e nevojave dhe kërkesave që ka Kosova… Kjo është lojë. Ne kemi ardhur në parlament se kjo është lojë. Si vjen te mandatari i dytë kur ke një ndryshim të gjendjes dhe po tentohet të ndërtohet një konsensus dhe kur je i hapur për të gjetur kompromis dhe qet në qendër problemet dhe nevojat që ka vendi… Krejt çka keni pa këto dy javë është se kush po ia lë ‘kilen’ tjetrit”, tha ai.
Haxhiu lutje për ish-opozitën: Votoni Glauk Konjufcën

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, i ka bërë lutje partive të ish-opozitës që të votojnë për formimin e qeverisë Konjufca, si dhe të miratojnë marrëveshjet ndërkombëtare dhe projekt-buxhetin për vitin 2026.
Ajo, duke hyrë në objektin e Kuvendit të Kosovës për seancën për votimin e qeverisë së re, kërkoi nga ish opozita t’i japë mbështetje Konjufcës, pasi siç tha, është person unifikues.
Haxhiu ka një lutje për ish opozitën: Votoni Glauk Konjufcën
“I bëj lutje që të kenë qasje pozitive dhe ta mendojmë interesin e shtetit, qytetarëve të Kosovës dhe të jenë në seancë për të votuar dokumente të rëndësishme. Glauk Konjufca është personi i dytë më i votuar në Kosovë. Të gjithë e dinë dhe ju jeni dëshmitarë që edhe qëndrimet e opozitës në raport me figurën e zotëri Konjufcës dhe ata e kanë përmendur atë si person unifikues. Sot është momenti që t’i japin mbështetje zotëri Konjufca. Ne nuk kemi pse të shkojmë në dy palë zgjedhje në një kohë të shkurtër, nëse edhe nuk dakordohemi për emrin e presidentit. Për hir të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës, le ta votojmë mandatarin dhe ta mbështesim zotëri Konjufca”, tha ajo.
Haradinaj: Po i vjen fundi të gjithë kësaj situate të rëndë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se nuk do të votojnë Glauk Konjufcën për kryeministër, raporton KosovaPress.
Ai, duke hyrë në objektin të Kuvendit për seancën ku pritet të votohet për qeverinë e re, tha se sot me dështimin për të formuar ekzekutivin e ri po i hapet rrugë zgjedhjeve të reja të parakohshme.
Haradinaj: Konjufca duhet t’i kërkojë falje qytetarëve
“Aleanca është shumë e qëndrueshme në vendimet e veta. Çdo deklarim i yni më përpara ka qenë i Aleancës dhe jo individëve. Edhe atëherë kur kemi votuar lirshëm ka qenë vendim i AAK-së. Prandaj është vendim i Aleancës që të votojmë kundër kësaj kandidature dhe mandatari, i cili nuk është i qëndrueshëm pasi nuk i ka paraqitur nënshkrimet. Zoti Konjufca duhet t’i kërkojë falje qytetarëve se i ka vonuar edhe dy javë Kosovës”, tha ai.
Madje, Haradinaj tha se nga sot po fillon dita e kthesës, pasi sipas tij zgjedhjet e reja do të jenë zgjidhje që institucionet të formohen shpejt.
Haradinaj: Sot është dita e kthesës dhe nis të numërojë koha ndryshe
“Po i vjen fundi të gjithë kësaj situate të rëndë. Kemi humbur shumë muaj, javë dhe ditë të vlefshme për Kosovën. Sot besoj se është dita e kthesës dhe nga sot do të fillojë me numëro koha ndryshe dhe jam optimist se zgjedhjet do të jenë zgjidhja dhe nuk do të humbim kohë pas zgjedhjeve të ardhshme dhe do t’i kemi institucionet e Kosovës”, theksoi ai.






Të tjera
Maqedonci në Konferencën e Berlinit, flet për sfidat e sigurisë në Evropë
“Shumë afër i ke robtë e tu, hynju ren”, Zemaj ‘kapet’ me një komentues
Arsyet që ju prishin gjumin