Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpërndarë sot Kuvendin e Republikës së Kosovës, pas konfirmimit zyrtar nga Kuvendi se edhe mandatari i dytë ka dështuar të krijojë Qeverinë. Vendimi është marrë në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, ndërsa shënon përfundimin e Legjislaturës së nëntë.
Me shpërndarjen e Kuvendit, Kosova hyn automatikisht në proces zgjedhor, ndërsa presidentja pritet të shpallë së shpejti datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Shpërndarja e Kuvendit vjen pas një krize të zgjatur politike që nisi me pamundësinë e partive politike për të siguruar shumicën e nevojshme parlamentare për formimin e ekzekutivit të ri.
Mandatari i parë i propozuar nga Presidentja, Albin Kurti, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje nuk arriti të sigurojë votat për krijimin e Qeverisë. As mandatari i dytë, Glauk Konjufca i propozuar nga LVV, po ashtu dështoi të formojë shumicën, çka e aktivizoi automatikisht nenin kushtetues për shpërndarje të Kuvendit.
Sipas Kushtetutës, në rast të dështimit të dy mandateve radhazi, presidentja është e obliguar të shpërndajë Kuvendin dhe të shpallë zgjedhjet e reja brenda afateve ligjore, më së largu 40 ditë nga dita e sotme. Kjo është hera e parë në Kosovë që dështojnë dy të mandatuar për të formuar qeverinë.




Të tjera
Arrestohet një person për vrasje në tentativë në Mitrovicë të veriut, policia sekuestron armë dhe drogë
Qelizat e meshkujve vdesin nën ndikimin e stresit
Pishtarë të dijes, urime dita e madhe e mësuesit dhe shkollës shqipe